Futboll

Në finale me 4 skuadra të ndryshme. Mourinjo, ylli më i madh që vjen në Tiranë

Gazeta Si – Roma-Fejnord është finalja e 25 majit në “Air Albania”. Një event historik sportiv për Shqipërinë, së cilës UEFA i ka besuar finalen e parë të Ligës së Konferencës. Tirana është që tani në qendër të vëmendje të tifozëve të Romës, Fejnordit dhe jo vetëm.

Dy emra të mëdhenj të futbollit europian do të zbresin në “Air Albania” më 25 maj. Shqiptarët kuptohet që ndihen më të lidhur me Romën, duke qenë se ndjekin më shumë kampionatin italian dhe në vendin tonë ka edhe pak tifozë të saj, por edhe për faktin se me të luan mbrojtësi i Kombëtares, Marash Kumbulla.

Mourinjo feston ne dhomat e zhveshjes kalimin ne finale. Gazeta Si, 6 maj 2022

Roma aktuale në fakt, nuk është një skuadër me yje të futbollit europian. Ylli më i madh i kësaj skuadre është në stol. Trajneri Zhoze Mourinjo, i cili vjen me rekorde personale në Tiranë, ndërkohë që ka krijuar që në vitin e parë një lidhje shumë të fortë me Romën dhe me popullin romanist. Këtë gjë ai e shprehu qartë të enjten në mbrëmje.

Rrallë është parë një ‘Special One’ kaq i lumtur pas një suksesi, por tani duhet fituar finalja e Tiranës, ku Romën pritet ta ndjekin një numër i madh tifozësh, të cilët kanë besim të madh se portugezi do t’u dhurojë trofeun.

Mourinjo ka fituar Ligën e Kampionëve me Porton dhe Interin, por çdo sukses është një kënaqësi më vete. Për Romën është shumë e gjatë koha e pritjes për një trofe: 14 vjet. Trajneri portugez është i pari që shkon në një finale europiane me 4 skuadra të ndryshme: me Porton (Kupa UEFA dhe Liga e Kampionëve), me Interin (Liga e Kampionëve) dhe me Mançester Junajtid (Liga e Europës). Gjithmonë ka fituar dhe kjo i bën me shpresë të gjithë tifozët e Romës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë