Nga Gazeta ‘SI’ – Në fund të vitit 2025, paraja jashtë sistemit bankar arriti një nivel rekord. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në muajin dhjetor, 483 miliardë lekë ndodheshin jashtë sistemit, me një rritje prej 16 miliardë lekësh krahasuar me nëntorin, ose 3.4% më shumë në terma mujorë.
Që nga fillimi i vitit, paraja cash në qarkullim është shtuar me rreth 60 miliardë lekë, ose afërsisht 15%, duke reflektuar një zgjerim të ndjeshëm të përdorimit të parasë jashtë bankave.
Me hyrjen e vitit 2026, qeveria miratoi një paketë masash kufizuese ndaj përdorimit të parasë cash, në kuadër të nismës që synon reduktimin gradual të saj. Prej 1 janarit, individët nuk lejohen të kryejnë blerje me vlerë mbi 500 mijë lekë në para në dorë, ndërsa bizneset ndalohen të kryejnë transaksione cash mbi 100 mijë lekë me subjekte të tjera.
Një tjetër element kyç i kuadrit të ri ligjor është detyrimi për pajisjen me terminale POS për të gjitha bizneset, veçanërisht ato të sektorëve të shërbimit, akomodimit, transportit dhe tregtisë, me qëllim lehtësimin e pagesave elektronike. Bizneset në këta sektorë kanë afat deri më 31 maj 2026, ndërsa për subjektet e tjera afati përfundon më 31 dhjetor 2026.
Paralelisht, edhe treguesit e tjerë monetarë sinjalizojnë një rritje të likuiditetit në ekonomi, si brenda ashtu edhe jashtë sistemit bankar. Agregati M3, i njohur si paraja e gjerë, u rrit në 1.97 trilionë lekë në dhjetor, nga 1.92 trilionë lekë që ishte një muaj më parë.
Sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë, në dhjetor 2025, agregati M1 (paraja jashtë korporatave depozituese, së bashku me llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat në lekë të rezidentëve jobanka, pa përfshirë qeverinë) u shtua me rreth 37 miliardë lekë krahasuar me nëntorin, duke arritur në 967.7 miliardë lekë.
Ndërkohë, agregati M2, që përfshin paratë jashtë korporatave depozituese dhe depozitat me afat në lekë të rezidentëve jobanka, u rrit me 36 miliardë lekë brenda një muaji, duke arritur vlerën e 1.194 trilionë lekëve.
Rritja e parasë në qarkullim në fund të vitit duket se lidhet me një kombinim faktorësh, përfshirë sezonalitetin e shpenzimeve të festave të fundvitit, si edhe një reagim paraprak të individëve dhe bizneseve ndaj masave kufizuese për përdorimin e parasë cash, të cilat qeveria kishte paralajmëruar që në muajt e mëparshëm. Po ashtu, përqendrimi i shpenzimeve kapitali të qeverisë në muajin e fundit të vitit, ndikon drejtëpërdrejtë në fluksin e parasë në vend.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



