Rupa është një vajzë e re, që jeton në Agra të Indisë e që prej fëmijërisë ka vetëm një ëndërr; të bëhet stiliste mode. Por një sulm me acid, i ndryshon krejt jetën.E megjithatë, Rupa ia del të çelë atelierin e saj, e ndihmuar nga shoqata të të drejtave të njeriut, që e bën të vijë edhe njëherë në jetë.Në atelier ajo do të donte të punësonte shoqet e saj, viktima sulmesh me acid.
Historinë e Rupës, regjisorja hungareze Gloria Halasz e lexoi në një artikull gazete e prej asaj dite mendoi si të realizonte një film dokumentar. “Atelieri i Rupës”, vjen në konkurrim në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut, IHRFFA e që shfaqet për publikun në lulishten e Kryeministrisë, duke zbatuar protokollet e masave ndaj koronavirusit.
Rupa, Soniya, Dolly, Gita, Neetu, Ritu dhe Laxmi, rrëfejnë përmes filmit ngadhënjimin mbi tragjedinë.“Në historinë e çdo vajze, është emocionuese të shohësh kontrastin midis ngjarjeve të tmerrshme që kanë ndodhur në jetën e tyre dhe ëndrrave të tyre për të cilat ata përpiqen, pavarësisht nëse është modeli i modës, kërcimi, këndimi apo funksionimi i kafenesë ku ata punojnë me viktima të tjera të acidit”, ka rrëfyer regjisorja, ndërsa filmi është vlerësuar me një sërë çmimesh nëpër botë.
Sipas aktivistëve të Stop Acid Attack (Ndal Sulmeve me Acid) që ndihmon viktimat, në Indi ka 3-5 sulme çdo javë. Shumë viktima nuk i raportojnë krimet në polici sepse kanë frikë se mos stigmatizohen nga shoqëria. Fushata ndihmon viktimat të gjejnë rrugën e tyre për t’u kthyer në shoqëri. Ato kanë krijuar një qendër trajtimi të krizave, e cila siguron një mjedis të sigurt për viktimat, ku ato mund të marrin ndihmë mjekësore dhe ku mund të kalojnë kohën në një mënyrë të përshtatshme dhe dobiprurëse. Qendra gjithashtu i mbështet ato në shpalosjen e ambicieve që kanë qoftë aspirata aktivistesh, qoftë duke punuar në kafenenë e tyre.
“Edhe pse vajzat u sulmuan, ato nuk qëndruan të mposhtura dhe vazhduan të ëndërronin dhe të punonin për t'i realizuar ëndrrat e tyre. Pasi hulumtoi më tej mbi sulmet me acid dhe të mbijetuarat, Rupa dhe dëshira e saj për të hapur një butik mode u bënë premisa e dokumentarit”, ka zbuluar regjisorja Halasz.
Protagoniste janë gratë që i kanë mbijetuar sulmeve acid, por pas tragjedisë ato nuk u mbllën në vete. Ato u ngritën në këmbë, u bënë të plota duke u angazhuar në një lloj aktiviteti dhe kanë gjetur rrugën e tyre përsëri në shoqëri. Ata ndjekin dizajnin e modës, dëshirojnë të hapin një sallon bukurie, të mësojnë vallëzimin Bollywood, të këndojnë, të drejtojnë një kafene, ose të punojnë si aktivistë.
“Ne u ndihmuam shumë nga Fondacioni Chhanv, një organizatë që mbështet viktimat e acidit. Ishte përmes tyre që ne ishim në gjendje të komunikonim me vajzat edhe para xhirimit. Meqenëse filmi paraqet gra, jeta e të cilave ishte zgjidhur falë Fondacionit, ato u hapën më lehtë për ne, të gatshme të ndajnë historitë e tyre”, thotë regjisorja hungareze, ndërsa takimet me të mbijetuarat e sulmeve ishin prekëse edhe për stafin e filmit.
“Shumë herë edhe personazhet e kishin të vështirë të flisnin pa lot”.Në rastet në lidhje me sulmet me acid, është mjaft e zakonshme që viktimat të mos marrin ndihmë pas tragjedisë edhe shoqëria i dëbon ato. Ata mbyllen në vetvete dhe distancohen nga bota. “Kjo është një arsye tjetër pse unë mendoj se organizata të tilla si Chhanv janë thelbësore”, thotë regjisorja. Sulmet me acid janë shpesh shenjë hakmarrjeje kundër një gruaje që refuzon një propozim për martesë apo ftesë seksuale. Pabarazia gjinore dhe pozicioni i gruas në shoqëri, krahasuar me burrat, luan rol madhor në këto sulme. Sulme të ngjashme ndodhin edhe kundër kujt ka bindje apo besim të ndryshëm fetar nga agresori.
I vlerësuar në shumë festivale filmi në botë, regjisorja mendon se juritë kanë theksuar se megjithëse historitë buronin nga një ngjarje e trishtuar dhe tragjike, përfundimi i tyre nuk ishte negativ, por shpresëdhënëse. “Është gjithashtu shpresa ime e sinqertë që lufta e vajzave për të gjetur ëndrrat e tyre do t'i japë forcë cilitdo në botë që kërkon rrugën për të dalë nga një situatë e vështirë, qoftë kjo ndonjë formë e sulmit fizik apo mendor”, përfundon regjisorja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.