Gazeta Si – Ish-presidenti Ilir Meta në burg prej tetorit 2024, ka depozituar një ankimim në Apelin e Gjykatës së Posaçme kundër vendimit të 5 janarit, që caktoi për të masën e sigurisë “arrest me burg”.
Ankimi është regjistruar në Apelin e Posaçëm më 26 janar, ndërsa Meta kërkon që vendimi i Shkallës së Parë të rishikohet dhe të lejohet lirimi i tij, me ose pa masa alternative.
Vendimi i Gjykatës së Posaçme, i marrë më 5 janar, e detyroi kreun e Partisë së Lirisë të qëndronte në “arrest me burg”, në kuadër të hetimeve për akuza për korrupsion.
Meta dhe avokatët e tij argumentojnë se masa e sigurisë ishte e tepruar dhe se ai nuk paraqet rrezik as për arratisje e as për pengim të hetimeve.
Avokatët e Metës kanë deklaruar se ankimi në Apel do të shqyrtojë në detaje arsyetimin e vendimit të shkallës së parë, duke përfshirë procedurat e ndjekura nga gjykata dhe bazën ligjore të masës së sigurisë.
Meta po hetohet për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë, përfshirë përfitime të dyshuara nga kontrata publike dhe lobime jashtë vendit.
Ndërkohë, ish‑bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi po hetohet gjithashtu nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Ajo është lënë me masë sigurie “detyrim paraqitjeje”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



