Drejtësia

Në burg përjetë për vrasjen e 4 policëve, Dritan Dajti bën një tjetër përpjekje për lirim nga burgu

Gazeta Si - Dritan Dajti, i dënuar me burgim përjetë për vrasjen e 4 policëve në Durrës, vijon betejën e tij me drejtësinë shqiptare për t’iu liruar nga burgu.

Përmes avokatëve të tij, Dajti ka depozituar një kërkesë penale në Gjykatën e Elbasanit, ku kërkon të konstatohet pavlefshmëria dhe pamundësia për ekzekutimim e vendimit të Gjykatës për Krimet e Rënda të korrikut 2014, për lënien e tij në burg përjetë.

Sipas Dajtit, ky vendim është i pavlefshëm për shkak se i mungojnë nënshkrimet e 4 anëtarëve të trupit gjykues.

Po sipas pretendimeve të Dajtit, urdhri i ekzekutimit të prokurorit për ekzekutimin e këtij vendimi nuk ekziston.

Në 11 qershor 2024, Gjykata e Lartë prishi dënimin e Apelit për dënimin me 25 vite burg të Dajtit, duke e dënuar përjetë.

Ndërkohë, më herët Dajti i është drejtuar Gjykatës së Elbasanit me kërkesë për lirim nga qelia, pasi, sipas tij, e ka konsumuar dënimin me 25 vite dhe se prej 17 gushtit 2024 po qëndron në qeli në kundërshtim me ligjin.

Dajti ishte në prag të lirimit nga qelia, por Prokuroria në mars 2019 ankimoi vendimin e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, e cila vendosi pranimin e kërkesës për gjykim të shkurtuar të tij, dhe duke ulur dënimin në 25 vite burg.

Ishte Gjykata e Lartë në 11 qershor 2024, ajo që riktheu në burg përjetë Dritan Dajtin, autorin e vrasjes së katër efektivëve të policisë në gusht të vitit 2009.

Dritan Dajti është shpallur fajtor për vrasjen e katër efektivëve të policisë në 7 gusht në zonën e plazhit "Iliria" në Durrës, Kastriot Feskaj, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Fatos Xhani gjatë një operacioni për arrestimin e tij.

Më 27 korrik Dajti, mori pjesë në varrimin e nënës së tij në Tufinë i shoqëruar nga dhjetëra forca speciale të Burgjeve dhe RENEA.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë