Gazeta Si - Ish-kreu i “Bandës së Lushnjës”, Aldo Bare vijon betejën e tij për të kërkuar ulje të dënimit për sjellje të mirë gjatë qëndrimit në burgun e sigurisë së lartë në Peqin.
Avokati i tij, Oligert Kume tha se në seancën e kësaj të premteje në Gjykatën e Elbasanit, administrata e burgjeve dorëzoi më në fund raportin për vlerësimin e sjelljes së Aldo Bares, por mbrojtja kërkoi shtyrjen e seancës, duke dashur të ishte njohur më parë me këtë akt.
Kume tha se është kërkuar ulje dënimi për vitet 2014-2021 referuar ligjit për trajtimin e të burgosurve, pasi për çdo vit ligji parashikon ulje dënimi me 45 ditë kalendarike duke pasur parasysh amnistinë e vitit 2014.
Sipas tij, i mbrojturi ka parashkruar një sërë kërkesash për ulje dënimi, por ka konstatuar se nga Administrata e Burgjeve nuk i vihen në dispozicion aktet apo vlerësimi i sjelljeve.
“Sot, është shtyrë për shkak se paraqitja e provave ju vu vetëm Gjykatës dhe normalisht duhet koha e duhur. Ne i kemi adresuar prej kohësh administratës së burgjeve, për mosvënien në dispozicion të këtyre pamjeve me argumente paradoksale”, - tha avokati.
Dhjetë vite pas vendimit të marrë nga Apeli në 2012-ën, Gjykata e Lartë, në dhjetor të 2022-it, la në fuqi vendimin me burgim të përjetshëm për Baren.
“Në Gjykatën Kushtetuese do kërkojmë sërish rrëzimin e vendimit të Gjykatës së Lartë, pasi na janë mohuar të drejtat për mbrojtje. Nëse Gjykata Kushtetuese nuk do ta marrë në shqyrtim, do t’i adresohemi Gjykatës së Strasburgut për të Drejtat e Njeriut“, - u shpreh Kume për mediat.
Aldo Bare është dënuar me “burg përjetë” për 4 vrasje, mes tyre dhe të Artur Dajës, me të cilin banda e tij u konfliktua gjatë viteve ’97, pasi këta të fundit i vranë vëllain.
Të tjera krime, sipas vendimit të gjykatës janë 4 vrasje të mbetura në tentativë, krijim i organizatës kriminale dhe armëmbajtje pa leje.
Aldo Bare u ekstradua në Shqipëri më 25 nëntor 2009 nga Ankaraja e Turqisë, ku u arrestua për llogari të drejtësisë shqiptare.
Alfred Shkurti, ish-speciali i forcave RENEA, ose i njohur ndryshe si Aldo Bare, hyri në botën e krimit në vitin 1997, pasi atij i vrau vëllanë banda e Artur Dajës, gjatë një përleshje me armë zjarri.
Pas vrasjes së Ramadan Shkurtit, në Lushnjë nisi të operonte banda e drejtuar nga ai, të cilës drejtësia i numëron më shumë se njëzet vrasje, dhjetëra plagosje dhe vënie gjobash.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.