Shendet

Në biskotat Oreo ka përmbajtje amoniaku, kompania e pranon por nuk tregon sasinë

Kompania që prodhon biskotat e famshme Oreo ka pranuar se ka përdorur për vite amoniak për t’i dhënë ngjyrën karakteristike atyre.

Në një raport në një gazetë lokale holandeze (“De Noordhollandse Dagblad”), u zbulua se Agjencia e Mjedisit kishte fshehur faktin se kompania Olam që ndodhet në Holandë ka përdorur amoniak për t’i dhënë biskotave ngjyrën përfundimtare. Ky sipas Gazetës është skandali më madh, që qeveria e dinte dhe ka heshtur.

“Për vite me radhë, fabrika Olam në Koog aan de Zaan ka përzier kokrrat e bluara të kakaos me sasi të mëdha amoniaku për të nxirë biskotat e tyre të famshme Oreo. Fabrika arriti ta mbante të fshehtë, edhe pse qeveria e dinte për të’, shkruhet në Gazetë.

Fabrika Olam është kritikuar prej disa vitesh nga banorët vendas, shoqatat mjedisore dhe vetë qeveria për emetimet e saj të amoniakut.

Por sipas hulumtimit të gazetës, fabrika mashtronte vendasit, konkurrentët dhe politikanët duke publikuar informacione të rreme rreth emetimeve të amoniakut.

Së bashku me emetimet e oksidit të azotit, emetimet e amoniakut njihen si problemi më i madh mjedisor në Holandë.

Në një prononcim për gazetën, drejtori i Olam-it, Eric Nederhand, ka pranuar se në prodhimin e produktit është shtuar amoniak, ndërsa nuk ka shpjeguar se sa ishte sasia në bazë vjetore.

 “Olam përdor amoniak si një zgjidhje në disa pluhura kakao për të ndryshuar ngjyrën ose shijen e produktit përfundimtar. Nuk ka ose mbetet shumë pak amoniak në produkte në fund. Nuk mund të specifikoj se sa është përdorur konkretisht”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë