Nga Gazeta Si – U hap në Bienalen Ndërkombëtare të Venecias, pavijoni shqiptar, prezantuar me veprat e artistes së ndjerë, Lumturi Blloshmi dhe kuruar nga Adela Demetja.
Në këtë edicion të 59-të, Shqipëria vjen për herë të parë me një ekspozitë personale të një artisteje grua dhe që nuk jeton më.
Ceremoninë e hapjes e përshëndeti Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila ndër të tjera u shpreh se Lumturi Blloshmi është simboli i tejkalimit të çdo lloj vështirësie që të përball jeta.
“Lumturi Blloshmi është simbol i brezit të vet, që krijoi në një periudhë të egër për artin e më pas u përballën me ndryshimet e sistemeve politike, që i detyronin të vraponin për të kapur kohën e humbur nën diktaturë.
Jam e kënaqur që këtë vit kemi në Bienale një skuadër më së shumti femërore, paraprirë nga Lumja, tek Adela e stafi që bënë të mundur ngritjen e këtij pavijoni, në një format, që aq sa zbulon aq edhe na lë shijen e misterit dhe dëshirën për të zbuluar më shumë mbi botën e një artisteje.
I rri më së miri konceptit të përgjithshëm të këtij edicioni, që kurohet nga Cecilia Alemani, e para grua italiane në këtë pozicion kaq të rëndësishëm”, është shprehur ministrja e Kulturës, Elva Margariti në ceremoninë e hapjes së pavijonit shqiptar.

Ndërsa kuratorja Adela Demetja është shprehur se asnjëherë nuk është vonë për të bërë gjënë e duhur, që do të thotë promovimin e veprës së Lumturi Blloshmit.
“Lumja na ka lënë një arkiv shumë të pasur, e shtrirë në një periudhë të gjatë kohore. Na ka lënë vepra, dorëshkrime, letra, përmes së cilave kuptojmë botën e saj dhe kontekstin ku ajo jetoi”, tha Demetja.

I pranishëm në ceremoni ka qenë edhe nipi i artistes, Ervin Blloshmi, i cili u shpreh se Lumja “u martua me artin e saj”, jetoi për të dhe tejkaloi të gjitha pengesat që i përballi jeta.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë shumë artistë e artdashës nga Shqipëria e Kosova dhe pavijoni shqiptar u vizitua nga personalitete të artit dhe kulturës botërore.




Pavijoni
Prezantimi me titull “Lumturi Blloshmi. Nga e para” është i konceptuar si një ekspozitë që synon të hulumtojë, shqyrtojë, prezantojë dhe ripozicionojë veprën dhe jetën e Lumturi Blloshmit në historinë e artit kombëtar dhe ndërkombëtar.
Prezantimi është konceptuar në tre pjesë. Thelbi i ekspozitës përbëhet nga një përzgjedhje e veprave të Blloshmit nga periudha të ndryshme, ndërsa arkitektura e ekspozitës është krijuar në bashkëpunim me arkitekten gjermane, Johanna Meyer-Grohbrügge.
Atmosferën e plotëson edhe një film për Lumturi Blloshmin në formën e një dokumentari eseistik. Ky i fundit synon të dokumentojë jetën e Blloshmit, punën dhe qenien e saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



