Politike

‘Në atë roman 400 faqesh nuk ka prova’, Rama sqaron edhe emërimin e zv.ministres

Nga Gazeta ‘Si’- Teksa pritet verifikimi i masës së sigurisë për Erion Veliajn nga GJKKO, kryeministri Edi Rama zhvilloi një dëgjesë publike me grupin parlamentar socialist, me fokus arrestimin në detyrë të kryebashkiakut të Tiranës dhe dosjes së SPAK ndaj tij.

Për kreun e qeverisë në atë dosje 400-faqëshe është vetëm një tregim dhe nuk ka prova. Ai i kërkoi mediave të hulumtojnë për provat.

“Është shumë e rëndësishme që ne të jemi të vëmendshëm për të mos harruar asnjëherë që ne jemi garancia e pavarësisë së prokurorisë dhe Gjykatës Speciale dhe arsyeja pse mendoj që kjo dëgjesë duhej bërë është se nuk ka një mundësi tjetër dhe hapësirë tjetër për të thënë të vërtetën tënde në një mjedis ku e vërteta shqelmohet pa pushim dhe ku faktikisht dhe ku unë akoma nuk kam parë dhe shpresoj që media të kërkojnë dhe tregojnë; ka prova apo nuk ka prova.

Sepse të thuash blerje online 800 mijë blerje online për bizhu e fustane, ndërkohë që kryetari i bashkisë nuk vesh fustane dhe nuk përdor bizhu dhe të marrësh një njeri të zgjedhur që ka një kontratë me qytetarët dhe ta mbyllësh në një dhomë paraburgimi duhet të tregosh provat. Nuk kemi më çfarë të diskutojmë dhe as çfarë të vëmë në dyshim. Provat është shumë e thjeshtë. I kërkoj mediave që të bëjnë hulumtimin për provat. Në atë roman 400 faqesh nuk ka prova ka vetëm një tregim shumë të ngarkuar e ndërlikuar me gjithfarë personazhesh, por nuk ka prova”.

Gjatë fjalës së tij Rama tregoi edhe sesi qëndron e vërteta mbi emërimin e Gentiana Sulaj në postin e zëvendësministres. Sipas tij emri i saj u propozua nga kryetarja e Kuvendit kur PS ishte në koalicion.

“Dhe një element të thjeshtë që unë e di. Aty thuhet që Erjon Veliaj ka bërë zv.ministre gruan e një biznesmeni pasi ky i fundit e ka marrë me avion diku. Nuk di a ka pasur një udhëtim më parë por që të arrish në konkluzionin se zv.ministrja  është vendosur si rezultat i atij udhëtimi këtë mund ta bësh në dy rrugë ose me shkollën e sigurimit të shtetit, çfarë bëje ti në veturën e ambasadës jugosllave? Ose ta kesh të provuar. Ndërkohë që zv.ministrja është e vendosur me kërkesë të ish kryetarit të kuvendit kur ishim në koalicion. Ma ka kërkuar që të flas me Erionin dhe të vendoset kjo grua që unë nuk e njihja, se është pranë nesh, është e pavarur dhe është vajzë e mirë. Kjo është e vërteta.

Si mund ta shkruash ti në një aktakuzë penale këtë? Provat janë ato që e ndajnë këtë punë dhe nga ana tjetër është beteja e saj dhe jo beteja jonë”, u shpreh Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë