Gazeta Si – SPAK ka vendosur të shtyjë edhe me tre muaj hetimet për ish-zëvendës kryeministrin Arben Ahmetaj, i cili ndodhet në arrati që prej muajit korrik të vitit 2023, i akuzuar për “pastrim parash”, “fshehje të pasurisë” dhe “korrupsion pasiv” për çështjen e inceneratorëve.
Organi i akuzës i komunikoi avokatit të Ahmetajt shtyrjen e hetimeve deri në muajin mars të vitit 2025.
Muaji mars është afati i fundit i Prokurorisë së Posaçme për të kaluar dosjen në GJKKO, ku më pas do jetë gjykata ajo që do vendosë për kalimin ose jo të fashikujve për hetim.
I njëjti vendim është marrë edhe për familjarët e tij, bashkëjetuesen dhe ish bashkëshorten e ish ministrit të financave.
Në muajin korrik të vitit të kaluar, organi i akuzës lëshoi urdhër arrest për Arben Ahmetaj dhe e shpalli atë në kërkim ndërkombëtar, ndërsa në mars të 2024 i komunikoi akuzat përmes avokatit të tij ligjor.
Ahmetaj dyshohet se gjatë funksionit të tij si ministër, mori disa akte për t’i mundësuar sipërmarrësve lidhjen e kontratave koncensionare. Ndaj tij, ka edhe hetim pasuror dhe janë vënë në sekuestro dy vila, disa apartamente dhe llogari bankare.
Ahmetaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar prej thuajse një viti, sa i takon aferës së inceneratorëve. Më 24 korrik të vitit të shkuar, Prokuroria e Posaçme iu drejtua me një kërkesë Interpol Tiranës, për të vijuar me procedurat ndërkombëtare. Asokohe Ahmetaj ishte pranë familjes në Londër, ndërsa tanimë ai ndodhet në Zvicër.
Ndaj Ahmetajt rëndojnë tre akuza, “korrupsion”, “pastrim parash” dhe “fshehje e pasurisë”. SPAK e akuzon se ka marrë përfitime të drejtpërdrejta e të tërthorta për koncesionet e 3 inceneratorëve, nga Klodian Zoto e Mirel Mërtiri.
Arben Ahmetaj po hetohet edhe për një dosje tjetër, çështjen e njohur si “Buka”, e cila ka të bëjë me privatizimin e kompanisë së bukës, ku asetet e shtetit dhe te privatëve janë rivlerësuar me çmimet e tregut, sikundër kërkohej nga vendimet e gjykatave në atë kohë.
SPAK thotë se hetimet e deritanishme kanë treguar se Ahmetaj shpërdoroi detyrën, duke favorizuar për të privatizuar shoqërinë “Buka sha”, por ai i ka mohuar nga arratia të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij nga SPAK.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.