Shendet

Në Amerikë miratohet një ilaç i ri që vonon zhvillimin e diabetit të tipit 1

Një ilaç imunoterapie “që ndryshon lojën”, është miratuar nga rregullatorët në SHBA.

Ekspertët thonë se ilaçi i quajtur teplizumab vonon zhvillimin e diabetit të tipit 1 dhe kjo “shënon një epokë të re në trajtimin e diabetit, duke trajtuar shkakun rrënjësor të gjendjes.

Ilaçi funksionon duke riprogramuar sistemin imunitar për të ndaluar “sulmin e gabuar” të qelizave që prodhojnë insulinë.

Rreth 8.7 milionë njerëz kanë diabet të tipit 1 në mbarë botën dhe problem mbetet fakti se po prek fëmijët gjithnjë e më shumë.

Në diabetin e tipit 1, sistemi imunitar (që normalisht lufton bakteret dhe viruset) sulmon gabimisht qelizat kryesore në pankreas që prodhojnë insulinë.

Insulina është thelbësore, duke ndihmuar trupin të përdorë sheqerin për energji, dhe shumica e trajtimeve aktuale fokusohen tek njerëzit që kontrollojnë sheqerin në gjak dhe marrin insulinë, me injeksion ose infuzion, çdo ditë.

Ilaçi ka provuar se vonon me një mesatare prej tre vitesh zhvillimin e diabetit.

Ekspertët thonë se kjo vonesë mund të jetë shumë domethënëse, veçanërisht për të rinjtë që nuk do të duhet të marrin insulinë ditore ose të monitorojnë sheqernat e tyre aq intensivisht për atë periudhë kohore.

Rachel Connor, nga një shoqatë bamirësie për diabetin e cila financoi zbulimin tha se “ky është një ndryshim loje. Ky është fillimi i një epoke të re për trajtimin e diabetit të tipit 1”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë