Në fund të qershorit numri i kontribuuesve për një pension privat në pleqëri arriti në 32 187, duke u rritur me 3.9% që nga fillimi i vitit dhe 5.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare.
Ritmet e rritjes së vlerës së aseteve neto paraqiten më të larta.Vlera e tyre në fund të muajit qershor 2021 arriti në 3.97 miliardë lekë duke u rritur me 22.5% krahasuar me një vit më parë dhe me 10.3% që nga fillimi i këtij viti.
Me një vlerë totale prej rreth 33 milionë eurosh, tregu i pensioneve private në Shqipëri ngelet një treg relativisht i vogël.
Sipas statistikave zyrtare, çdo kontribuues zotëronte mesatarisht 123 mijë lekë ose afërsisht 100 euro asete neto në llogarinë e fondit të pensionit. Sipas numrit të anëtarëve, aktori më i madh në treg është Credins Pension, me rreth 56% të numrit të përgjithshëm të anëtarëve, i ndjekur nga Sigal Pension me 27%, Raiffeisen pension me 10% dhe Albsig Pension me 7%.
Për nga vlera e aseteve neto, fondi më i madh është Sigal Pension me 43% të totalit, i ndjekur nga Credins Pension me 30%, Raiffeisen Pension me 24% dhe Albsig Pension me 3%.
Asetet e këtyre fondeve janë të investuara pothuajse totalisht në obligacione të qeverisë shqiptare, kryesisht me maturitet afatgjatë, me qëllim sigurimin e kthimeve më të larta.
Legjislacioni shqiptar i përjashton kontributet për pension privat nga tatimi mbi të ardhurat personale deri në një kufi prej 200 mijë lekësh në vit nga punëmarrësi dhe 250 mijë lekë në vit nga punëdhënësi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.