Drejtësia

Në 4 prill, vendoset nëse dosja ‘Partizani’ do të kalojë ose jo për gjykim

Gazeta Si – Në 4 prill, Gjykata e Posaçme do të vendosë nëse dosja “Partizani”, ku mes të akuzuarve është dhe Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi, do të kalojë ose jo në gjykim themeli.

Në seancën e kësaj të enjteje, gjykata u njoh me pretendimet e mbrojtjes të dy shoqërive tregtare, të cilat janë të pandehura si person juridik në proces.

Në seancën e radhës, prokurorët e SPAK do të paraqesin kundërshti mbi pretendimet e avokatëve dhe më pas gjykata do të tërhiqet për vendim.

Sali Berisha akuzohet për korrupsion pasiv, pasi sipas SPAK ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, për t’i përshtatur sipas nevojave të pesë familjeve pronare në kompleksin sportiv “Partizani”, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.

Jamarbër Malltezi  akuzohet për korrupsioni pasiv, kryer në bashkëpunim me Sali Berishën, pasi dyshohet se në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin, privatizuan kompleksin partizani që i solli familjes miliona euro përfitime. Malltezi akuzohet dhe për pastrim parash.

Biznesmeni Fatmir Bektashi është i pandehur për korrupsion aktiv, Xhimi Begeja, trashëgimtar i tokës, për pastrim parash, ndërsa Andia Pustina, financierja që kreu operacionet financiare e ligjore të “Homeplan”, po ashtu në akuzë për pastrim parash.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë