Ekonomi

Në 2025-n, qeveria do të emetojë Eurobondin me vlerë 600 mln euro. Malaj: Do të shlyejmë Eurobondin e 2018-s

Nga Gazeta 'SI' - Qeveria do të emetojë një Eurobond 600 mln euro në tremujorin e parë të 2025-s.

Lajmin e konfirmoi ministri i Financave, Petrit Malaj në komisionin e Ekonomisë, duke shtuar se gjysma e vlerës së këtij Eurobondi do të shkojë shkon për financimin e maturimit të Eurobondit të emetuar në vitin 2018,

Ministri Malaj tha ripagesat gjatë vitit 2025 janë relativisht të larta, ku konkretisht maturohet vlera e mbetur prej rreth 367 milionë Euro.

Ndër të tjera, në fjalën e tij, ministri Malaj tha se ka një përmirësim të nivelit të borxhit dhe treguesve të tjerë lidhur me të.

“Borxhi aktualisht përbëhet nga: borxh i brendshëm, i cili zë rreth 57.5 % të totalit të borxhit, dhe borxh i jashtëm, i cili zë 42.5 % të tij. Treguesi i peshës së borxhit të jashtëm ka pësuar një ulje nga ai i fundit të vitit 2023, ku ky tregues vlerësohej në 45.6%. Ne synojmë uljen e mëtejshme të tij, në linjë edhe me strategjinë afatmesme, e cila synon një kujdes të shtuar sa i takon ekspozimit të borxhit ndaj luhatjes së kursit të këmbimit dhe mbajtjen nën nivelin 50% të borxhit në valutë të huaj. Nga këndvështrimi i jetëgjatësisë kemi borxh afatshkurtër që përbën rreth 15% të totalit të borxhit, borxh me afat maturimi mbi një vit në nivelin rreth 85% të totalit të borxhit. Kujdes i është kushtuar jetëgjatësisë së borxhit dhe në veçanti atij të brendshëm, i cili paraqet një risk rifinancimi më të lartë. Ndaj, dhe fokusi i menaxhimit të borxhit ka qenë në drejtim të rritjes së jetëgjatësisë së borxhit të brendshëm, vit pas viti. Jetëgjatësia e tij, në fund të nëntëmujorit 2024, është në nivelin e 928 ditëve (2.56 vite), që shënon jo vetëm një përmirësim krahasuar me nivelin e fundit të vitit 2023 (835 ditë ose 2.3 vite), por shënon gjithashtu edhe vijueshmëri të një përmirësimi të synuar e të arritur ndër vite, ku në harkun kohor të 5 viteve ky tregues është rritur me mbi 100 ditë dhe në harkun kohor të 10 viteve ky tregues është rritur me rreth 300 ditë”, tha ministri Malaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë