Treg

Në 2025-n, çmimet e banesave në Shqipëri u rritën me 42%. Tirana u shtrenjtua me 33%

Nga Gazeta ‘SI’- Çmimet e banesave në Tiranë janë rritur me 32.6% në një vit, raporton Banka e Shqipërisë.

Sipas Indeksit Fischer, që mat ecurinë e tregut imobiliar në vend, rezulton se për gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, çmimet në Tiranë u shtrenjtuan me 5.1%.

Trendi duket se ka qenë më i fortë në zonat jashtë Tiranës, ku përfshihet edhe zona e bregdetit, ku çmimet e banesave janë rritur me 41.7% nga qershori 2024 në qershor 2025. Për gjashtëmujorin e këtij viti, çmimet në rang kombëtar u rritën me 14.6%.

Gjatë gjashtëmujorit të parë të viti 2025, rreth 15% e banesave të shitura janë raportuar të blera nga shtetas jorezidentë, krahasuar me 18% për gjashtëmujorin e mëparshëm. Nga këta, rreth 71% rezultojnë shtetas të vendeve të BE-së.

Indeksi tregon se stoku i pronave të pashitura ra, por u rrit koha e shitjes së tyre, si pasojë e zhvillimeve në tregun e kryeqytetit. Koha mesatare e shitjes së banesave në rang vendi u rrit në 11.6 muaj, nga 9.3 muaj në vrojtimin e mëparshëm. Në rastin e Tiranës, koha mesatare e shitjes u rrit ndjeshëm në 11.1, nga 7.1 muaj. Koha mesatare për shitjet në zonat bregdetare ra në 8.7, nga 10 muaj, ndërsa për zonat e tjera, kohëzgjatja e shitjes ishte pak më e lartë sesa në gjashtëmujorin e kaluar, duke u rritur në 12.8, nga 11.6 muaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë