Treg

Në 2023-shin Shqipëria u kthye në eksportuese të energjisë. Bizneset po funksionojnë ‘me diell’

Nga Gazeta 'SI' - Kushtet e favorshme meteorologjike kanë kthyer Shqipërinë në një eksportues të energjisë për vitin 2023. Sipas të dhënave të INSTAT, Shqipëria prodhoi 26% më shumë energji se në 2022-shin, duke arritur në masën e 8.8 mijë gigavatorëve, dhe eksportoi 34% më shumë energji, rreth 2.8 mijë gigavtorë.

Lidhur me këtë, importi i energjisë u ul me 37% dhe Shqipëria bleu vetëm 1.9 mijë gigavat energji gjatë 2023-shit.

“Shkëmbimi i energjisë elektrike (diferenca mes eksportit dhe importit bruto të energjisë), në vitin 2023, ka arritur vlerën pozitive prej 920 GWh. Në vitin 2022, shkëmbimi i energjisë elektrike kishte nje vlerë negative prej 921 GWh”, shkruan INSTAT.

Konsumatorët përdorën 6.2 mijë gigavatorë energji gjatë 2023-shit, me rënie të vogël nga një vit më parë. Nga këto, familjarët dhe jofamiljarët konsumuan respektivisht 3.1 mijë gigavatorë. Abonentët jofamiljarë, që janë bizneset dhe institucionet kanë qenë gjithmonë konsumatorët më të mëdhenj të energjisë, por mesa duket instalimi i fotovoltaikëve ka ulur përdorimin e elektricitetit nga rrjeti.

Burimi kryesor i energjisë janë HEC-et publike, që kanë pasur po ashtu një rritje të ndjeshme të prodhimit, mbi 5 mijë gigavatorë. Privatët kanë prodhuar 3.6 mijë gigavatorë energji, me rritje të lehtë nga një vit më parë.

Gjatë 2023-shit humbjet në rrjet kanë rënë, por ato në transmetim janë rritur.

Sektori duket se është rimëkëmbur shpejt, pas një krize të thellë në vitin 2022. Lufta në Ukrainë dhe periudhat e gjata pa reshje e futën Shqipërinë në një "regjim" energjie, ku për një çast u konsiderua dhe vendosja e një fashe konsumi. Që atëherë, qeveria dhe biznesi i dhanë rëndësi të veçantë energjisë nga dielli dhe era, ku Shqipëria po ecën më shpejt se rajoni.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë