Treg

Në 2023 MFE planifikon 340 mld lekë financim të brendshëm. Titujt shqiptarë të borxhit do të njihen ndërkombëtarisht

Nga Gazeta ‘SI’ – Ministria e Financave ka parashikuar që për vitin 2023, titujt e borxhit të kenë kodin ISIN, që njihet ndërkombëtarisht në tregje si vlerë alfanumerike identifikuese, duke lehtësuar tregtimin dhe emetimin e tyre. (The International Securities Identification Number, ISIN)

Gjatë vitit 2023, MFE pret financim të brendshëm në shifrat e 339 mld lekëve, prej të cilave 235 mld lekë bono thesari dhe 104 mld lekë obligacione. Nëse përfshijmë maturimet e instrumenteve të emetuara gjatë 2023, totali arritn rreth 355.5 mld lekë. Instrumenti me maturimet më të larta pritet të jetë bono thesari 12-mujore me vlerë prej rreth 222.5 mld lekë. Muaji me shumën e maturimeve më të larta të borxhit shtetëror pritet shkurti 2023 me rreth 56.1 mld lekë.

Nga financimet e jashtme, janë parashikuar 105.6 mld lekë, nga të cilat 60 mld janë Eurobond dhe 25.3 mld, financim neto i jashtëm. “Eurobondi pritet të mundësohet në një madhësi benchmark, pa përjashtuar mundësinë e emetimit me vlerë më të lartë sipas kushteve të tregut. Emetimi i ri është planifikuar të shoqërohet me një transaksion të riblerjes së një pjese të eurobondit që maturohet në vitin 2025, duke ulur kështu rrezikun e rifinancimit të atij viti. Në çdo rast, emetimi i Eurobondit si dhe blerja mbrapsht do zhvillohen vetëm nëse kushtet e tregut konsiderohen të favorshme. Në rast se emetimi nuk ndodh, MFE ka parashikuar një sërë alternativash të tjera financimi”, -sqaron ministria në dokumenti e planeve për huamarrje në 2023-shin.

Po ashtu, MFE thekson se qëllim mbetet ulja e kostos së borxhit, duke reduktuar ekspozimin ndaj risqeve prezente. Por ajo paralajmëron se duke konsideruar pasigurinë që viti 2023 paraqet, mund të ndryshohen frekuencat apo shumat e emetuara për instrument/muaj sipas kushteve të tregut.

“Gjatë 2022, raportet e riskut ndoqën trendin përmirësues të mëparshëm. Huamarrja gjatë vitit 2022 ishte sfiduese dhe e nxitur nga një kërkesë e limituar e investitorëve, e orientuar kryesisht drejt instrumenteve afatshkurtra. Për 2023-shin, në kushtet e shtrënguara të tregjeve, do të synohet mbajta e këtyre indikatorëve në nivele të qëndrueshme me qëllim sigurimin e financimit të nevojshëm për vitin në fjalë.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë