Treg

Në 2022-shin ra ndjeshëm prodhimi dhe konsumi i energjisë në vend

Nga Gazeta ‘SI’- Në vitin 2022, energjia elektrike në dispozicion në Shqipëri u ul me 6% dhe prodhimi neto me 22%.  Shqipëria prodhoi 7.003 GWh energji vitin e shkuar, nga 8.963 GWh në 2021-shin. Kjo situatë lidhet drejtpërdrejt me krizën energjetike dhe klimatike të të gjithë Europës.

Për të gjithë vitin, më shumë se gjysmën e energjisë, 55% e prodhuan hidrocentralet publike, 44.2% ato private dhe vetëm 0.7% nga fotovoltaikët. Këto të fundit nuk rezultojnë me rritjen e pritshme, duke shtuar vetëm rreth 10 gigavat energji nga 2021 në 2022.

Për shkak të situatës jo të favorshme energjetike, eksporti i energjisë ra me 24.2%, dhe rezultoi vetëm 2.123 GWh nga 2.800 GWh.

Ndërkohë, importi i energjisë u rrit me 35% në raport vjetor, në 3.044 GWh nga 2.253 GWh në 2021-shin.

Rrjedhimisht edhe shkëmbimi i energjisë(diferenca mes eksportit dhe importit bruto të energjisë), ka rezultuar negativ në vitin 2022, -921 GWh krahasuar me vitin 2021 ku kishte një vlerë pozitive prej 548 GWh.

Vërehet një ulje me 7% e humbjeve në rrjet, në 1.658 GWh nga 1.785 GWh, nga viti në vit. Po ashtu në rënie ka rezultuar edhe konsumi i energjisë si nga familjet me 0.5% si dhe nga subjektet e tjera me 10%.

Konsumi familjar është ulur me mbi 15 gigavatorë dhe ai i subjekteve jofamiljare me 350 gigavatorë.

Kjo lidhet po ashtu me situatën kritike të energjisë vitin e shkuar, për Shqipërinë dhe Europën, ku pati fushata të shpeshta me synim uljen e konsumit. Në shtator 2022, qeveria e Shqipërisë konsideroi fuqizimin e një fashe energjetike e cila ndikoi në uljen e përdorimit të energjisë. Po ashtu edhe temperaturat e larta gjatë këtij dimri ndikuan në konsumin e elektricitetit.

 Zyrtarisht, kriza energjetike e Shqipërisë “ka skaduar” më 31 dhjetor 2022, pas shpalljes në tetor të 2021-shit. Siç ka lajmëruar më herët qeveria, familjarët dhe bizneset në tensionin e mesëm do të vazhdojnë të subvencionohen në këtë drejtim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë