Nga Gazeta ‘SI’ – Në vitin 2021 numri i bizneseve në vend u rrit, bashkë me qarkullimin vjetor të tyre, por investimet e tyre ishin në rënie.
Sipas Instat, atë vit ishin 104.031 ndërmarrje ekonomike aktive, me rritje 1.4% nga 2020-a, të dominuara nga ato tregtare me 38.3%.
64% e totalit ishin prodhues shërbimesh dhe 36% prodhues të mirash. Shërbimet kanë pasur kontributin më të madh në punësim dhe në shitjet neto.
Numri i të punësuarve gjithsej është rritur me 15.254 të punësuar ose 3%, krahasuar me vitin 2020. Shitjet neto në vitin 2021 arritën vlerën 2.652 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 23.5 % nga 2020-a.
Investimet u ulën me 10.2 % në vitin 2021 dhe arritën vlerën 174 miliardë lekë, në krahasim me 194 miliardë lekë në vitin 2020. Prodhuesit e shërbimeve zënë pjesën më të madhe të investimeve të realizuara duke përbërë 53.3 % të investimeve gjithsej për 2021.
Prodhimi për të punësuar për vitin 2021 ka qenë 3.188 mijë lekë nga 2.632 mijë lekë për të punësuar rezultuar në 2020. Ky tregues është më i lartë tek prodhuesit e të mirave (4.862 mijë lekë për të punësuar) në krahasim me prodhuesit e shërbimeve (2.248 mijë lekë për të punësuar).
Në ndërmarrjet ekonomike aktive gjatë vitit 2021 janë punësuar 519.240 persona. Ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar kanë 41.7 % të numrit gjithsej të të punësuarve të cilët realizuan 47.5 % të shitjeve neto dhe 45.6 % të investimeve edhe pse përbëjnë vetëm 1.3 % të ndërmarrjeve aktive.
Ndërmarrjet me 1-4 të punësuar kanë 27.5 % të të punësuarve gjithsej të cilët kanë realizuar 12.8 % të shitjeve neto. Këto ndërmarrje realizuan 10.1 % të investimeve dhe përbëjnë 85.9 % të ndërmarrjeve aktive.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.