Shendet

Në 2021 në Shqipëri vdiqën 10% më shumë qytetarë se në 2020, vitin më të keq të pandemisë

Gazeta Si- Në vitin 2021, në Shqipëri numri i vdekjeve nga të gjitha shkaqet ishte 30.507. Numri i vdekjeve në nivel vendi shënon një rritje me 10,5%, krahasuar me 2020. Nga vjetari i Instat, në nivel qarku, Dibra dhe Lezha kanë regjistruar rritjen më të vogël të vdekjeve, përkatësisht 4,4% dhe 3,4%.

Në vitin 2021, vdekjet nga grupsëmundjet “Sëmundje të sistemit të qarkullimit të gjakut” dhe “Sëmundje të aparatit të frymëmarjes” kanë shkaktuar numrin më të lartë të vdekjeve.

Në nivel vendi 52,4% e vdekjeve gjithsej shkaktohen nga “Sëmundje të sistemit të qarkullimit të gjakut” dhe 11,8% si pasojë e “Sëmundje të aparatit të frymëmarjes”. Sipas qarqeve, Kukësi dhe Dibra kanë përqindjen më të lartë të vdekshmërisë nga “Sëmundje të sistemit të qarkullimit të gjakut” me 60,7% dhe 58,8% të vdekjeve të shkaktuara nga ky grup. Ndërsa për grupsëmundjen e “Sëmundje të aparatit të frymëmarjes” qarku i Beratit dhe Shkodrës kanë përqindjen më të lartë të vdekshmërisë me 15,5% dhe 13,5%.

Pesha që zënë dy grupsëmundjet kryesore në totalin e vdekjeve sipas grupmoshës dhe qarqeve në %, 2021. Marrë nga Instat.

Disa probleme shëndetësore kronike si hipertensioni dhe diabeti, megjithëse klasifikohen si sëmundje, mund të konsiderohen edhe si faktorë risku për sëmundjet e qarkullimit të gjakut. Bazuar në sistemin e recetës elektronike me rimbursim në vitin 2021, 11,9% e pacientëve kronik janë trajtuar për Diabet Mellitus dhe 35,3% e pacientëve kronik për Hipertension Arterial.

Sipas qarqeve, Durrësi ka përqindjen më të lartë të pacientëve kronik të trajtuar për Diabet Mellitus me 14,9%, ndërsa për Hipertension Arterial përqindjen më të lartë e ka qarku Korçë me 40,8%.

Përqindja e personave me aftësi të kufizuar sipas llojit të paaftësisë dhe sipas qarqeve, 2021. Marrë nga Instat.

Pjesë e rëndësishme e kujdesit shëndetësor është dhe kujdesi ndaj personave me aftësi të kufizuar.

Numri më i lartë i personave me aftësi të kufizuar në raport me popullsinë është regjistruar në Qarkun e Elbasanit dhe të Gjirokastrës. Sipas llojit të aftësisë së kufizuar, profili në të gjithë qarqet është pothuajse i ngjashëm, mbi 60% e personave me aftësi të kufizuar të regjistruar janë të grupuar në kategorinë “Aftësi e kufizuar mendore dhe fizike”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë