Sipas të dhënave nga raporti vjetor i Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit 2020, konstatohet rritje e numrit të kartëmonedhave të falsifikuara në qarkullim.
Nga pikëpamja strukturore, pjesën më të madhe të kartëmonedhave të falsifikuara e zënë prerjet 2000 Lekë dhe 1000 Lekë, që ndiqen nga prerja 5000 Lekë dhe 500 Lekë.
Megjithatë, në vlerësimin e BSH-së, koeficienti i kartëmonedhave të falsifikuara për 1 milion copë kartëmonedha në qarkullim ngelet në vlera të ulëta. Vitin e kaluar ky koeficient arriti në 8.4 për një milion kartmonedha, nga 5 për një milion që kishte qenë në vitin 2019.

Numri i kartëmonedhave të falsifikuara, të evidentuara, gjatë vitit 2020 ishte rreth 1310.
BSH bën të ditur se gjatë vitit 2020, ajo ka kryer aktivitete në kuadër të mbrojtjes së monedhave nga falsifikimi, që kryesisht fokusoheshin në procesin e testimit dhe monitorimit të pajisjeve autentifikuese që përdoreshin nga stafi profesionist.
Në fund të vitit 2020, rezultuan rreth 156 milion copë kartëmonedha në qarkullim ku në krahasim me vitin 2019 numri i tyre është rritur me 10.3% ose me 16 milion copë.

Në vlerë, gjatë vitit 2020, kartëmonedhat në qarkullim kanë pasur një vlerë rreth 349.7 miliardë lekë krahasuar me rreth 297 miliardë lekë gjatë vitit 2019.
Vlera mesatare e një kartëmonedhe në qarkullim në fund të vitit 2020 arriti në 2,242 lekë kundrejt 2,126 lekë në fund të vitit 2019.
Në vitin 2020 është rritur qarkullimi i kartëmonedhës së re. Qarkullimi i kartëmonedhës 200 lekë është rritur me 5% ndërkohë qarkullimi i kartëmonedhës së serisë se re me vlerë 5000 është rritur me 6% gjatë vitit 2020.

Kartëmonedha e cila mban vendin e parë në qarkullim është ajo me vlerë 2000 lekë e pasuar nga kartëmonedha me vlerë 5000 lekë gjatë vitit 2020.
Seria e re e kartëmonedhave me elementet bashkëkohore dhe të sofistikuara të sigurisë synon gjithashtu që të ulë fenomenin e falsifikimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



