Udhëtimet për pushime dhe kohë të lirë drejt Shqipërisë në vitin pandemik ishin më të larta se në vitin 2019 që ishte viti më i mirë i turizmit,sipas anketës “Pushime dhe Udhëtime,2020” të publikuar sëfundmi nga INSTAT.
Udhëtimet e kryera në Shqipëri për qëllime “Pushime dhe kohë të lirë” dhe “Arsye të tjera” janë rritur përkatësisht me 16.9 dhe 2.6 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2019.
Në vitin 2020, numri i udhëtimeve për qëllime personale apo biznesi (brenda apo jashtë Shqipërisë) të kryera nga individët banues në Shqipëri të moshës mbi 15 vjeç ishte 3.212.076.
Numri mesatar i netëve të qëndrimit për udhëtime të kryera është 4.6 netë. Udhëtimet për qëllime personale përbëjnë 98.7 % të udhëtimeve gjithsej, ndërsa udhëtimet për qëllime biznesi 1.3 % të tyre. Përqendrimet më të larta të udhëtimeve të kryera janë regjistruar në muajt: Gusht (17.0 %), Janar (12.8 %), Qershor (12.1 %), Dhjetor (11.4 %) dhe Korrik (9.9 %).

Siç tregon edhe grafiku shuma e netëve të qëndrimit (në milion) ka regjistruar vlerat më të larta në muajt Gusht, Korrik dhe Janar.
Në vitin 2020, janë regjistruar rreth 40 % më pak udhëtime në të gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj, krahasuar me vitin 2019.
Përgjithësisht është shënuar rënie për të gjitha llojet e udhëtimeve, ku rënia më e ulët është shënuar për udhëtimet për qëllime personale në Shqipëri.

Kohëzgjatja e udhëtimeve
Nëse do të analizojmë shpërndarjen e udhëtimeve sipas kohëzgjatjes së netëve të qëndrimit, udhëtimet e shkurtra (1-3 netë) në Shqipëri zënë një peshë më të madhe, kryesisht 64.6 % se udhëtimet e gjata (4+ netë).
Ndryshe paraqitet situata për udhëtimet e kryera jashtë Shqipërisë ku peshën më të madhe të tyre e zënë udhëtimet e gjata (55.8 %).
Udhëtimet me kohëzgjatje të shkurtër në Shqipëri për “Vizita te të afërm dhe miq” kanë përqendrim më të lartë 88.4 % ndërsa jashtë saj 60.5 % e këtyre udhëtimeve janë kryer për “Pushime dhe kohë të lirë”. Udhëtimet e gjata në Shqipëri janë kryer më së shumti për “Pushime dhe kohë të lirë” 56.4 %, ndërsa për udhëtimet jashtë vendit 68.2 % e udhëtimeve të gjata janë kryer për “Vizita te të afërm dhe miq”.

Profili i udhëtarëve
Përqindjet më të larta të udhëtimeve brenda dhe jashtë Shqipërisë janë kryer nga grup-mosha 25-34 vjeç.

Anketa na tregon se përqindjet më të larta të udhëtimeve brenda Shqipërisë janë kryer nga udhëtaret femra (50.6 %), ndërsa udhëtimet jashtë Shqipërisë janë kryer më shumë nga udhëtarët meshkuj (52.6 %).
Pushimet dhe destinacionet e preferuara, në verë Durrësi, në dimër Korça
INSTAT nënvizon se në vitin 2020, destinacionet më të preferuara për udhëtime për qëllime personale apo biznesi në Shqipëri janë qarqet: Tiranë (26.3 %), Vlorë (16.1 %), Durrës (1.,0 %) dhe Korçë (8.9 %).
Në udhëtimet e kryera jashtë Shqipërisë përqindjet më larta janë regjistruar në: Greqi (2.1 %), Kosovë (2.0 %) dhe Itali (1.7 %).
Udhëtimet që kanë si destinacion kryesor qarkun e Durrësit kanë regjistruar përqindjen më të lartë të udhëtimeve në tremujorin e dytë 39.0 %, dhe për tremujorin e tretë është regjistruar si destinacion i preferuar qarku i Vlorës me 51.9 %.
Udhëtimet me destinacion kryesor qarkun e Korçës kanë shënuar përqindjen më të lartë të udhëtimeve në tremujorin e të katërt përkatësisht 28.1 %.
Pandemia rriti preferencën për hotel në 2020
“Lloji më i shpeshtë i akomodimit në vitin 2020, është “të qëndruarit tek të afërmit apo miqtë”, ndjekur nga kategoria “hotel” dhe “ambiente akomodimi me qira” apo “shtëpi ose apartamente të dyta për pushime”.
Në vitin 2020 vërehet rritje për kategorinë “hotel” rreth 9.6 pikë përqindje, ndërkohë ulje është regjistruar për kategorinë “qëndrim tek të afërmit ose miqtë” me 16.9 pikë përqindje.
Numri i udhëtimeve të kryera nga udhëtarët për qëllime personale në Shqipëri dhe jashtë saj është 3.17 milionë për të cilët opsioni më i preferuar i akomodimit është “qëndrimi tek të afërmit ose miqtë”. Ndërsa në udhëtimet e kryera për qëllime biznesi si në Shqipëri dhe jashtë saj të cilat janë rreth 0,04 milion, “hoteli” dhe “qëndrimi tek të afërmit ose miqtë” janë format më të shpeshta të akomodimit.

Udhëtimet sipas llojit të transportit
Rreth 3.1 milionë udhëtime janë kryer nëpërmjet transportit rrugor të cilët përbëjnë 96.4 % të të gjithë udhëtimeve të kryera në vitin 2020. Rritja më e lartë është regjistruar në transportin rrugor nëpërmjet makinave private me 15 pikë përqind” nënvizon INSTAT.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



