Drejtësia

Në 20 dhjetor rinis beteja me drejtësinë e Saimir Tahirit në Apelin e GJKKO-së

Në datën 20 dhjetor, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri do të rinisë betejën me drejtësinë. Seanca e parë në Gjykatën e Apelit kundër Krimit dhe Korrupsionit, është caktuar në orën 09:00.

Dosja e Saimir Tahirit në Apel do të gjykohet nga Daniela Shirka që është kryesuese dhe Engert Pëllumbi, ndërkohë që lirjana Olldashi ka dhënë dorëheqjen para pak ditsh dhe pritet zëvendësimi nga KLGJ.

Disa javë pasi Gjykata e Lartë zbardhi vendimin, dosja në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm dhe ish-kryepolicit të Vlorës Jaeld Çela, u regjistrua në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Gjykata e Lartë vendosi rikthimin e çështjes për shqyrtim tek një trupë tjetër e Gjykatës së Posaçme me argumentin se gjatë procesit kundër Saimir Tahirit ka pasur shkelje procedurale.

Tahiri u dënua nga Krimet e Rënda për shpërdorim detyre me 3 vite shërbim prove, ndërsa Apeli i posaçëm e prishi vendimin dhe e ktheu për rigjykim në Shkallën e Parë.

Më pas ish ministri bëri rekurs dhe dhoma e këshillimit e Gjykatës së Lartë e ka pranuar për ta gjykuar. Tahiri u akuzua për tre vepra të rënda penale “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’.

Akuza e argumentuar nga prokuroria ishte për përfshirjen e ish-ministrit në 4 episode trafikimi droge nga 2013-2015, por pa dhënë detaje për rolin konkret të tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë