Nga Gazeta ‘SI’ – Këshilli i Ministrave ka miratuar një Akt Normativ për disa ndryshime në Buxhetin e vitit 2025, i cili përfshin një rialokim fondesh me një vlerë totale prej 11.8 miliardë lekësh (rreth 118 milionë euro).
Sipas Ministrisë së Financave, ky rishikim vjen pas analizës së ecurisë së projekteve gjatë pesëmujorit të parë dhe synon përdorimin më efikas të fondeve publike në mbështetje të sektorëve prioritarë dhe nxitjes së investimeve publike.
Fondet do të shpërndahen në këto drejtime kryesore.
Rialokim të kursimeve të evidentuara në masën 5.6 miliardë lekë me qëllim për të siguruar forcimin e sigurisë digjitale dhe mbështetjen e rritjes ekonomike të qëndrueshme, përmes përmirësimit të infrastrukturës kombëtare.
Miratimin e një skeme të re të Garancie Sovrane për sektorin e Bujqësisë, me një vlerë rreth 3 miliardë lekë, me qëllim rritjen e aksesit në financë kryesisht për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme, por edhe krijimin e kushteve për rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe konkurrueshmërisë.
Rishpëndarjen e disa fondeve të brendshme, në kuadër të përmirësimeve në teknologjinë e informacionit në administratën publike.
Pavarësisht ndryshimeve, deficiti buxhetor mbetet në nivelin prej 68.1 miliardë lekësh, pa asnjë rritje, dhe borxhi publik nuk pëson ndryshime.
Më 5 qershor, Kuvendi miratoi ndryshimet e para në buxhetin e shtetit, ndryshim i cili parashikonte financimin e projektit të investimit startup “Machine Thinking Lab”. Ky startup inovativ drejtohet nga shqiptarja Mira Murati dhe qeveria shqiptare do të bëhet aksionere me një vlerë prej 10 milionë dollarë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.