Motosport

Ndryshon formati i MotoGP, në 2023-shin futet gara sprint

Gazeta Si – Ndryshim formati në garat e MotoGP. Nga sezoni i ardhshëm do të ketë një garë ekstra çdo fundjavë, që do të japë pikë, por pa ndikuar në rreshtimin e nisjes së pilotëve në garën zyrtare.

Irta, Fim dhe Dorna, në një konferencë shtypi të mbajtur në Austri, në fundjavën e 13-të të kampionatit, kanë zyrtarizuar futjen e ‘Sprint Race’ (gara sprint). Është një garë ekstra që zhvillohet të shtunën me gjysmën e distancës që ka gara zyrtare e së dielës.

Lajmi është dhënë nga presidenti i FIM, Jorge Viegas: “Do të fusim një garë sprint të shtunën pasdite, para çdo gare zyrtare. Pas dy vitesh Covid-i dhe sakrificash të mëdha për të mbajtur gjallë këtë kampionat, tani duhet më shumë vizibilitet dhe më shumë spektatorë”, – tha ai.

Jorge Viegas, presidenti i FIM. Gazeta Si, 20 gusht 2022

Presidenti i FIM më tej shtoi: “Duhet të shohim përpara, sepse në të kundërt do të mbetemi prapa. Jemi motorsporti dhe nuk mund t’ia lejojmë vetes të ndodhë kjo gjë”.

Karmelo Ezpeleta, administratori i Dorna-s, theksoi: “Duam të punojmë për sigurinë dhe spektaklin, kemi parë edhe sportet e tjera për t’u adaptuar me fansat. Për ne është e rëndësishme të ofrojmë një program të ri për më shumë argëtim. Kemi folur me konstruktorët dhe skuadrat e pilotët. I kemi informuar për formatin e ri”.

Për polemikat që lindën nga disa pilotë, se nuk ishin në dijeni para se të merrej vendimi, Ezpeleta sqaroi: “Pilotët duhet të jenë të informuar, por më shumë rëndësi kanë skuadrat. Kam folur edhe personalisht me disa pilotë, nuk ishte një vendim i ashpër. Skuadrat në përgjithësi janë dakord dhe pro propozimit për garën sprint”.

Me futjen e garës sprint, revolucionarizohet fundjava e MotoGP. Sezonin 2023 nuk ka shumë ndryshime të premten, me dy sesione provash të lira. Të shtunën vjen ndryshimi i madh, me një session të tretë provash të lira dhe më pas kualifikueset. Gara sprint do të zhvillohet pasdite, në bazë të rezultateve në kualifikuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë