Me anë të satelitëve janë hartëzuar zonat më problematike për sa i përket emetimeve të gazrave. Harta është krijuar nga një studim i ri i kryer nga organizata “Carbon Mapper” që gjurmon emetimet e metanit.
“Ne ishim në dijeni për këtë fakt por ky studim tregon gjurmën e vërtetë të metanit dhe gazrave të tjerë që janë prezent në të gjithë planetin,” shpjegon Riley Duren, një autor i studimit.
Ky hulumtim u fokusua në zbulimin e rrjedhjeve të naftës dhe gazit që mund të pezullohen nëse kompanitë investojnë në parandalimin. Shkencëtarët besojnë se ulja e emetimeve të metanit është një “fitore e lehtë” në trajtimin e ndryshimeve klimatike, sepse është një gaz shumë i fuqishëm. Shkencëtari kryesor në hulumtim, Thomas Lauvaux tha se llogaritja e emetimeve të gazeve serrë zakonisht mbështetet në vetë-raportimin e vendeve ose kompanive. Por mbledhja e të dhënave nga atmosfera “ofron një qasje më rigoroze për kontabilitetin e emetimeve, më të pavarur dhe më transparente”, shpjegon ai.
Tre vendet me emetimet më të mëdha të identifikuara në hulumtimin e fundit ishin Turkmenistani, Rusia dhe SHBA.
Të dhënat u mblodhën në 2019-2020 nga instrumenti Tropomi në satelitin Sentinel-5P të BE-së.
“Isha i tronditur, por jo i befasuar nga natyra e përhapur e këtyre ultra-emetuesve. Ata janë maja e ajsbergut,” tha profesori i gjeoshkencave Paul Palmer, në Universitetin e Edinburgut.
Ndërsa më shumë satelitë do të vendosen në pesë vitet e ardhshme, disa do të zbulojnë metanin me rezolucion shumë më të lartë, që do të thotë se objektet individuale të naftës dhe gazit mund të identifikohen.
“Së shpejti, me sensorët e ardhshëm, do të jetë më e vështirë për industrinë e naftës dhe gazit të pretendojë të gënjejnë,” shpjegon Prof Palmer.
Shkencëtarët vlerësojnë se ndalimi i rrjedhjeve të gazeve do të parandalonte ngrohjen globale. Në nëntor të vitit të shkuar, më shumë se 100 qeveri u mblodhën në konferencën e ndryshimeve klimatike COP26 në Glasgow ku nënshkruan Betimin Global për uljen e Metanit, duke synuar që deri në vitin 2030 te jetë ulur me 30%.
Burimi: BBC/ Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



