Shendet

Ndryshimi i klimës po kërcënon shëndetin global

Ndryshimet klimatike po ndikojnë rëndë në shëndetin e njerëzve në mbarë botën, ka zbuluar një raport i botuar në Lancet.

Raporti i Lancet tregon se mbështetja e vazhdueshme e botës në lëndët djegëse fosile rrit rrezikun e pasigurisë ushqimore, sëmundjeve infektive dhe sëmundjeve të lidhura me nxehtësinë.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres u përgjigj duke thënë se udhëheqësit globalë duhet të reagojnë dhe të kuptojnë madhësinë e problemit.

Udhëheqësit do të takohen për konferencën e madhe të klimës COP27 në Egjipt muajin e ardhshëm.

Raporti përfshin punën e 99 ekspertëve nga organizata duke përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe të udhëhequr nga University College London.

Ai përshkruan se si moti ekstrem ka rritur presionin mbi shërbimet shëndetësore globalisht që tashmë po përballen me pandeminë Covid-19.

“Vdekjet e lidhura me nxehtësinë globale janë rritur me dy të tretat gjatë dy dekadave të fundit”, thuhet në raport.

Rekordet e temperaturës janë thyer në të gjithë botën në vitin 2022, përfshirë në Mbretërinë e Bashkuar ku u regjistruan 40 gradë Celsius në korrik, si dhe në pjesë të Europës, Pakistanit dhe Kinës.

Ndikimet shëndetësore të nxehtësisë ekstreme përfshijnë përkeqësimin e problemeve si sëmundjet kardiovaskulare dhe të frymëmarrjes, dhe shkaktojnë goditje nga nxehtësia dhe shëndet të dobët mendor.

Por në raport shkruhet se ka zgjidhje.

“Pavarësisht sfidave, ka prova të qarta se veprimi i menjëhershëm mund të shpëtojë ende jetët e miliona njerëzve, me një zhvendosje të shpejtë drejt energjisë së pastër”, përfundon raporti.

Guterres tha se bota po vëzhgon vendet e G20, të cilat prodhojnë 80% të emetimeve globale të serave. Ata duhet të shtojnë përpjekjet për të ulur emetimet dhe mundohen të investojnë më shumë në energjinë e rinovueshme, shtoi ai.

"Shëndeti i njeriut, jetesa, buxhetet e familjeve dhe ekonomitë kombëtare po goditen pasi varësia nga karburantet fosile po del jashtë kontrollit", tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë