Ndërsa popullsia globale vazhdon të rritet, një studim i ri tregon se produktiviteti bujqësor ka rënë për shkak të efekteve të ndryshimit të klimës.
Në të gjithë botën, fermerët po prodhojnë 20 për qind më pak ushqim sesa do të kishin prodhuar nëse kushtet mjedisore do të ishin të njëjtat me ato të viteve 1960.
“Kryesorja është ndryshimi i modeleve të motit, duke përfshirë përmbytjet në rritje dhe thatësira në zona të ndryshme”, thonë studiuesit.
Zhvendosjet drastike dhe të papritura të lidhura me ndryshimin e klimës e bëjnë më të vështirë për fermerët të planifikojnë strategji prodhuese për të pasur korrjen më të suksesshme.
Studiuesit thonë se rajone si Amerika Latine, Karaibet dhe Afrika janë goditur më keq.
“Kur një fermer merr një vendim ekonomik si ai që duhet të mbjellë në qershor, askush nuk e di se cili do të jetë rezultati i këtij vendimi deri në gjashtë muaj më vonë. Kjo është një ndër arsyet pse ato janë një nga grupet që marrin përsipër rrezik më të madh”, tha Robert Chambers, një profesor i bujqësisë në Universitetin e Maryland.
Ai thotë se llogaritjet e produktivitetit për bujqësinë historikisht nuk kanë përfshirë të dhëna për motin.
Chambers dhe Ariel Ortiz-Bobea, një ekonomist në Universitetin Cornell, krijuan një model për të llogaritur produktivitetin si tani ashtu edhe atje ku do të ishte nëse modelet e motit do të kishin qëndruar aty ku ishin dekada më parë.
Ata gjetën një ulje prej 21 përqind të prodhimit botëror bujqësor që nga viti 1961, ekuivalente e humbjes së shtatë viteve të fundit të rritjes.
“Efektet, megjithatë, nuk janë të njëtrajtshme: Rajonet më të ngrohta si Afrika, Amerika Latine dhe Karaibet kanë përjetuar ngadalësime të rritjes midis 26 përqind dhe 34 përqind”, shkruhet në studim.
“Disa njerëz mendojnë për ndryshimin e klimës si një problem të largët, diçka që duhet të shqetësojë kryesisht brezat e ardhshëm por studimi ynë zbulon se ndryshimet klimatike tashmë kanë një ndikim në vendet e varfëra që varen kryesisht nga bujqësia”, shtoi Ortiz-Bobea.
Burimi: Daily Mail. Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



