Politike

Ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit/ Bardhi: Duan të na përjashtojnë nga procesi i integrimit

Nga Gazeta ‘Si’- Gjykata Kushtetuese mbajti seancën mbi kërkesën e opozitës, ku grupi i PD kërkon shfuqizimin e ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit, që mazhoranca bëri me votim të njëanshëm në Parlament.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka përfaqësuar palën paditëse dhe në emër të opozitës mbajti relacionin, ndërsa shoqërohej nga avokati Marash Logu.

Bardhi deklaroi se ndryshimet në Rregullore u bënë sipas tij me qëllim që opozita e vendit të përjashtohej tërësisht nga procesi i integrimit në Bashkimin Europian.

Në fjalën e tij në seancë, Bardhi shtoi se Rregullorja është njëlloj dhe ka të njëjtën fuqi për Kuvendin, siç ka për Gjykatën Kushtetuese ligji organik që organizon punën e kësaj gjykate.

“Ashtu siç GJK rregullohet nga ligji organik që detyrohet ta zbatojë, edhe Kuvendi nuk rregullohet me ligj normal por me rregullore që detyrohet ta zbatojnë me përpikmëri. Shumë nga të drejtat e deputetëve që i kanë të sanksionuara në Kushtetutë, nuk janë të ekzekutueshme pa rregullat e Rregullores së Kuvendit. Qëllimi ka qenë që opozita të përjashtohet tërësisht nga procesi në Kuvend i procesit të integrimit”, tha Bardhi mes të tjerash.

Bardhi tha se me ndryshimet kufizohet edhe koha e fjalës së deputetëve, që është e parashikuar me 10 minuta dhe nuk lejohet liria e shprehjes.

Si një tjetër precedent ai përmendi edhe reduktimin e numrit të anëtarëve në Komisione, kufizimin e opozitës apo heqjen e drejtimit nga disa Komisione, si ai i Integrimit, debate që janë bërë edhe më herët në Kuvend dhe mbledhjet e komisioneve.

“Na janë refuzuar edhe kërkesat për komisione hetimore. Kurse shqyrtimi i projektligjeve në një ditë i pamundëson amendamentet”, tha ai mes të tjerash.

I pyetur nga relatori i çështjes, Sandër Beci, se a ka pasur diskutim për këto ndryshime, Bardhi e theksoi se i gjithë shqyrtimi ka zgjatur vetëm 1 orë, duke shënuar një rast të paprecedentë.

Më tej, demokrati tha se nuk pengohet funksionimi demokratik i Kuvendit, në rast se këto ndryshime shfuqizohen.

Më tej gjyqtarja Marjana Semini e pyeti nëse ndarja e vjetër është më e mira apo duhet një model tjetër për komisionet.

“Padyshim, nuk mund të vendosë vetëm njëra palë se si do të organizohet puna. Në fazën ku ka hyrë sot Shqipëria në procesin e integrimit, ne mblidhemi në seancë plenare, miratojmë deri në 3 të mëngjesit nga 30 ligje sepse na thonë që na përafron me legjislacion europian. Duhet një process që nuk bazohet në intrigën politike”, u përgjigj Bardhi.

Pjesë nga diskutimi në GJK:

Relatori: Siç shihet ka një ndërhyrje gati të plotë mbi përbërjen dhe strukturën e komisioneve, fushën që mbulojnë, duke u shtuar nga tre komisione nga ato që kanë qenë më përpara. A keni pasur ndonjëherë diskutime, projekte për të riformatuar fushën e mbulimit të komisioneve, për të ndryshuar numrin e tyre? Në rast se ky vendim shfuqizohet si antikushtetues, çfarë pasojash sjell në funksionimin normal të komisioneve dhe cila sipas jush mund të ishte pika që mund të gjejë dakordësi duke u nisur nga eksperienca 7-mujore?

Bardhi: Besoj në 1 orë nuk ke kohë të hapësh letrat, jo më të diskutosh. Është rasti i dytë në historinë parlamentare, ndryshimet për shkak se përcaktojnë bashkëjetesën demokratike mes palëve, ka pasur gjithmonë diskutime me rregulla me konsensus. Ky është rasti i parë në histori në fakt që shqyrtohet për 1 orë. Unë kam ngritur shqetësime sepse ka mospërputhje mes dispozitave ligjore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë