Politike

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor/ Shtyhet për të hënën seanca plenare

Nga Gazeta ‘Si’- Për ndryshimet në disa projektligje në Kodin Zgjedhor që lehtësojnë më tej procesin e votimit të Diasporës në zgjedhjet e 11 majit, do të duhet të pritet edhe 4 ditë për t’u miratuar. Kjo pasi seanca plenare e ditës së sotme është shtyrë dhe do të zhvillohet të hënën në orën 10:00.

Vendimi u mor pasi deputetët e opozitës kanë marrë kartat e votimit të socialistëve, duke pamundësuar në këtë mënyrë procedurën e votimit në Kuvend. Spiropali tha se seanca e radhës do të mbahet të hënën, teksa bëri thirrje që deputetët të respektojnë etikën dhe rregulloren e Kuvendit.

Kësisoj të hënën e javës së ardhshme në Kuvendin e Shqipërisë do të shqyrtohen projektligjet për disa ndryshime në Kodin Zgjedhor, por edhe pjesën tjetër të rendit të ditës që automatikisht transferohet për t’u diskutuar dhe votuar.

Sa i përket numrit të votave apo arritjes së kuorumit, gjatë ndërprerjes të gjithë deputetët e PS u thirrën që të ishin të pranishëm dhe ndonëse u ndërprenë punimet ata u paraqitën në sallën e seancave plenare, duke plotësuar kësisoj numrin e mjaftueshëm edhe për votimin e Kodit Zgjedhor nëse do të arrihej konsensusi. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë