Nga Gazeta ‘Si’- PD dhe PS kanë vendosur të shtyjnë për nesër diskutimin në Komisionin e Ligjeve për dy draftet e paraqitura për ndryshimin e Kodit Zgjedhor.
Megjithëse mbledhja e komisionit të Ligjeve e kishte parashikuar sot në rendin e ditës, kryetarja e Komisionit, Klotilda Bushka njoftoi pamundësinë e relatorit demokrat, Oerd Bylykbashi për të marrë pjesë sot.
“Me kërkesë të bashkërelatorëve për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, do i shtyjmë për nesër projekt aktet. Bylykbashi ka njoftuar se nuk mund të marrë pjesë sot”, tha Bushka.
Më tepër se sa një shtyrje formale, duket se PD dhe PS i kanë dhënë vetes edhe 24 orë kohë për të tentuar një kompromis për shkak se ende i ndan një çështje e rëndësishme që ka të bëjë me pamundësinë për të votuar të emigrantëve që nuk kanë një dokument biometrik.
Propozimi i demokratëve është hedhur poshtë publikisht nga PS-ja, sipas të cilës, emigrantët që nuk kanë një pasaportë biometrike, qoftë edhe të skaduar, nuk mund të votojnë për shkak se sistemi i ngritur në KQZ nuk e lejon një gjë të tillë.
Nga ana tjetër PD-ja ka kërcënuar se nëse nuk pranohet kërkesa e saj, nuk do të japë votën për ndryshimin e disa afateve ligjore që i japin më shumë kohë KQZ-së të përgatisë fletën e votimit dhe ta nisë atë me postë në diasporë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




