Mjedis

Ndryshimet klimatike ndikuan jetën e miliona njerëzve në 2021

Ndryshimet klimatike ndikuan te miliona njerëz në mbarë botën në vitin 2021, sipas një raporti të ri.
Studimi, nga shoqata “Christian Aid”, identifikoi 10 ngjarje ekstreme që secila shkaktoi më shumë se 1.5 miliardë dollarë dëme. Ndikimet më të mëdha financiare ishin nga uragani Ida që goditi SHBA-në në gusht dhe përmbytjet në Evropë në korrik.
Në shumë rajone më të varfra, përmbytjet dhe stuhitë shkaktuan zhvendosje masive të njerëzve dhe vuajtje të mëdha. Një studiuese kryesore, Friederike Otto, deklaroi në fillim të këtij viti se çdo valë e të nxehtit që ndodh tani në botë është “më e mundshme dhe më intensive” nga ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu.
Në lidhje me stuhitë dhe uraganet, ka prova në rritje se ndryshimet klimatike po ndikojnë gjithashtu. Në gusht, Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC) publikoi pjesën e parë të raportit të gjashtë vlerësimit.
“Proporcioni i cikloneve intensive tropikale dhe shpejtësia mesatare e erës së ciklonit tropikal,” tha studimi.

Vetëm disa javë pasi doli ky raport, uragani Ida goditi SHBA-në.
Sipas Christian Aid, ishte ngjarja më shkatërruese e motit financiarisht e vitit. Uragani i ngadalshëm bëri që mijëra banorë në Luiziana të evakuoheshin nga rruga e tij. Kjo stuhi solli reshje masive shiu në një numër shtetesh dhe qytetesh, me Nju Jorkun që lëshoi për herë të parë një alarm emergjence për përmbytje. Rreth 95 njerëz vdiqën, me humbjet ekonomike të vlerësuara në 65 miliardë dollarë. Ngjarja e dytë më e kushtueshme financiare ishin përmbytjet e përhapura në Gjermani, Francë dhe vende të tjera europiane në korrik. Shpejtësia dhe intensiteti i ujit pushtoi vendin dhe 240 persona humbën jetën. Dëmet e raportuara ishin rreth 43 miliardë dollarë. Në studim, shumica e ngjarjeve të motit kanë ndodhur në vendet e zhvilluara. Sipas kompanisë së sigurimeve “Aon”, viti 2021 ka të ngjarë të jetë hera e katërt në pesë vjet që katastrofat natyrore globale kanë kushtuar më shumë se 100 miliardë dollarë.
Raporti gjithashtu dokumenton shumë ngjarje të tjera ku ndikimi financiar është më i vështirë për t’u konstatuar, por ku ndikimi te njerëzit është i rëndësishëm.
Përmbytjet në Sudanin e Jugut zhvendosën mbi 800,000 njerëz. Gjithashtu 200,000 të tjerë u detyruan të shpërnguleshin për të shpëtuar nga cikloni Tauktae që goditi Indinë, Sri Lankën dhe Maldivet në maj.
“Ky është një ndikim i madh njerëzor. Natyrisht, humbja e shtëpisë, mjeteve të jetesës dhe mospasja e burimeve për të rindërtuar është tepër e vështirë. Ndërsa të paktën nëse keni sigurim, keni një mekanizëm për të qenë më të sigurt mbrapa”, tha autori i raportit Kat Kramer nga Christian Aid.
Raporti thekson nevojën për përpjekje të shtuara për frenimin e emetimeve të dioksidit të karbonit për të reduktuar ndikimet e ardhshme të motit. Gjithashtu u bën thirrje diplomatëve globalë të klimës që të vendosin paratë e tyre aty ku janë dhe të ndihmojnë vendet më të varfra që pësojnë humbje të mëdha ekonomike.
Burimi: BBC/ Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë