Sipas një studimi, shumë nga kompanitë më të mëdha në botë po dështojnë të përmbushin objektivat e tyre për trajtimin e ndryshimeve klimatike.
Ata gjithashtu ekzagjerojnë ose keqraportojnë progresin e tyre në mënyrë rutinore, thotë raporti i Institutit të Klimës së Re.
Google, Amazon, Ikea, Apple dhe Nestle janë disa nga ato kompani.
Korporatat janë nën presion për të ulur ndikimin e tyre mjedisor pasi më shumë konsumatorë duan produkte të gjelbërta por mesa duket, sipas studimit, ato nuk po e bëjnë këtë.
Disa nga kompanitë i thanë BBC se nuk ishin dakord me disa nga metodat e përdorura në raport dhe thanë se ishin të përkushtuara për të ndërmarrë veprime për të frenuar ndryshimet klimatike.
Firmat e analizuara përbëjnë 5% të emetimeve globale të gazeve serrë, thotë raporti, që do të thotë se përveç se kanë një gjurmë të madhe karboni, ato kanë potencial të madh për të udhëhequr në përpjekjen për të kufizuar ndryshimet klimatike.
Thomas Day, Autori i studimit tha se ekipi i tij fillimisht donte të zbulonte se kompanitë po kontribuojnë në uljen e emetimeve por ata ishin ” të befasuar dhe të zhgënjyer me pretendimet e kompanive”.
“Ne i vendosëm disa objektiva ambicioze sepse e dimë se ndryshimi i klimës është një problem serioz dhe nevojitet veprim tani më shumë se kurrë. Si pjesë e qëllimit tonë për të arritur emetimet neto zero deri në vitin 2040, Amazon është zotuar dhe të përdorë energji 100% të rinovueshme deri në 2025”, tha Amazon në deklaratën e saj.
Ndërkohë Nestle komentoi se mirëpresin shqyrtimin e veprimeve dhe angazhimeve të kompanisë për ndryshimet klimatike.
“Megjithatë, raporti i Monitorimit i Përgjegjësisë së kompanive për Klimën (CCRM) i Institutit të Ri të Klimës nuk e kupton qasjen tonë dhe përmban pasaktësi të konsiderueshme”.
Monitorimi u krye nga organizatat jofitimprurëse New Climate Institute dhe Carbon Market Watch.
Ai shqyrtoi strategjitë e firmave të deklaruara publikisht për të reduktuar emetimet e gazrave serrë në mënyrë që të arrinte neto zero.
Neto zero, një objektiv që shkencëtarët thonë se bota duhet të arrijë deri në vitin 2050 për të kufizuar rritjen e temperaturës globale, do të thotë të mos shtohet sasia e gazeve serrë në atmosferë.
Arritja e tij nënkupton reduktimin e emetimeve sa më shumë që të jetë e mundur, si dhe balancimin e atyre që mbeten duke hequr një sasi ekuivalente.
Kompanitë vendosin objektivat e tyre. Për shembull, Google premton të jetë pa karbon deri në vitin 2030, ndërsa Ikea premton të jetë “pozitive ndaj klimës” deri në vitin 2030.
Emetimet krijohen nga çdo gjë, nga transportimi i mallrave, tek energjia e përdorur në fabrika apo dyqane. Gjurma e karbonit e rritjes së të korrave ose prerjes së pemëve gjithashtu ka rëndësi.
Studimi i dha secilës firmë një vlerësim “integriteti”. Ai zbuloi se disa po ecnin relativisht mirë në reduktimin e emetimeve, por që të gjitha kompanitë mund të përmirësoheshin. Asnjërës kompani nuk iu dha vlerësimi i “integritetit të lartë”.
Studiuesit arritën në përfundimin se në përgjithësi, strategjitë në fuqi, nëse zbatohen, do të reduktonin emetimet me 40% më së shumti, jo 100% të nënkuptuar në termin ” neto zero “.
Vetëm tre nga 25 kompanitë janë të përkushtuara qartë për heqjen e 90% të emetimeve të karbonit nga zinxhirët e tyre të prodhimit dhe furnizimit, thonë ato. Këto janë Maersk, Vodafone dhe Deutsche Telekom.
Mënyra se si bizneset flasin për premtimet e tyre për klimën është gjithashtu një problem i madh, thotë studimi.
“Ka një hendek të madh midis asaj që thonë kompanitë dhe realitetit dhe konsumatorët ka të ngjarë ta kenë të vështirë të përcaktojnë të vërtetën”, thotë Day.
“Pretendimeve ambicioze të kompanive shpeshherë u mungojnë thelbi i vërtetë,” shpjegon ai. “Edhe kompanitë që po ecin relativisht mirë i ekzagjerojnë veprimet e tyre”.
Day, ekipi i të cilit kaloi javë të tëra duke analizuar dokumentet, tha se personi mesatar që përpiqet, për shembull, të zgjedhë një pjesë të mobiljeve, teknologjisë ose të blejë ushqim në supermarket, do të ketë vështirësi për të marrë një vendim të informuar.
Ai tha se një nga fushat më të diskutueshme ishin ato që njihen si emetimet në rrjedhën e poshtme ose në rrjedhën e sipërme, ato që krijohen nga aktiviteti i lidhur indirekt me një kompani.
Për shembull, raporti thotë se 70% e gjurmës së klimës së Apple krijohet nga emetimet në rrjedhën e sipërme, duke përfshirë konsumin e energjisë elektrike nga konsumatorët që përdorin telefonat Apple, laptopët dhe produkte të tjera.
Shumë kompani nuk i kanë përfshirë këto emetime në planet e tyre klimatike.
Google tha se “Ne përcaktojmë qartë shtrirjen e angazhimeve tona për klimën dhe raportojmë rregullisht mbi progresin tonë në Raportin tonë vjetor Mjedisor”.
Lista e plotë e kompanive të analizuara është: Maersk, Apple, Sony, Vodafone, Amazon, Deutsche Telekom, Enel, GlaxoSmithKline, Google, Hitachi, Ikea, Vale, Volksëagen, Walmart, Accenture, BMW Group, Carrefour, CVS Health, Deutsche Post DHL , E.On SE, JBS, Nestle, Novartis, Saint-Gobain, Unilever.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



