Politike

Dy listat për zgjedhjet që sollën pakënaqësi brenda opozitës dhe thumbi i Gjiknurit: E keni problemin brenda jush dhe jo me PS (të gjithë zërat kundër)

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor që pritet të miratohen sot në Kuvend në ditën e fundit të këtij sesioni parlamentar janë komentuar edhe nga kreu i grupit të punës nga PS-ja, Damian Gjiknuri. Madje, Gjiknuri ishte ai që fgoli më shumë kundrejt zërave kundër që në Kuvend erdhën vetëm nga opozita.

Ndryshe nga sa ka pretenduar Lulzim Basha për pazare, Gjiknuri tha se kur Basha ishte me të drejta të plota në tryeze, nuk ka propozuar asgjë konkrete.

‘Gaboheni rëndë. U munduam për të realizuar një reformë gjithëpërfshirëse, ku shumë prej jush ishit pjesë madje me të drejta të plota në tryezë por nuk sollët asgjë konkrete, vetëm propozime që forconin pozitën tuaj politike, ose mbijetesë ose në kurriz të grupimeve të ndryshme politike që përfaqësoni në opozitë. Kjo është puna juaj e ne nuk bëhemi palë, por ne ofrojmë si maxhorancë gatishmërinë për kompromis politik në të mirë të Shqipërisë e mbështetje që zgjedhjet e radhës të jenë më të mira” tha Gjiknuri.

Sipas ndryshimeve në ligjin për Kodin Zgjedhore lista e deputetëve do të jetë pjesërisht e hapur. 1/3 do të jetë e mbyllur ndërsa kandidatët në 2/3 e listës do të luftojnë me njeri tjetrin për tu futur ne Kuvend ai që fiton edhe një votë më shumë.

Pas përfundimit të fjalës së Gjiknurit, Sula thirri: “Turp turp turp… e shkatërruar këtë vend, vrafshi veten”.

Por i pakënaqur nuk ishte vetëm Dashnor Sula. Më herët edhe Fatmir Mediu pati kontestime.

“Do diskutoj një çështjen që është jashtëzakonisht e rëndësishme! Do të ishte e padrejtë, jo transparente që për shkak të pazareve apo marrëdhënieve tërësisht okulte, sot të kalojë pa asnjë lloj debati, ose debat sipërfaqësore ndryshime të Kodit Zgjedhor që shqiptarët kanë pritur shumë më tjetër, shumë më ndryshe që të paktën ky Kuvend mblidhet për herë të parë të arsyetojë se si duhet të garantojë të drejtat e shqiptarëve për të votuar. Do të ishte absurde që ne të nxitojmë për të bërë ndryshime që nuk kanë të bëjnë aspak me zgjedhjet, aspak me lirinë e votës, por me disa marrëdhënie që nuk do të ndryshojnë rrjedhën e ngjarjeve për 2025.

Pas një pune të një komisioni të ngritur tërësisht jofunksional dhe pa asnjë marrëdhënie e cila nuk ka asnjë lloj transparence, është në interes të Kuvendit e shqiptarëve të dijë se çdo të bëhet me zgjedhjet. Nëse shkojmë në ndryshime preferenciale kjo do të dëmtojë procesin zgjedhore dhe nuk do t’i shërbejnë zgjedhjeve të lira. Ky Kuvend nuk punon thjesht për ata që janë të punësuar këtu, por për interesat e shqiptarëve. Të shtyhet diskutimi i ndryshmeve në Kodin Zgjedhor sepse është i padrejtë”, tha ai në Kuvend”, u shpreh me heret Mediu.

Por Gjiknuri ne anen tjeter tha se Mediu duhet ta shihte problemin brenda opozitës dhe jo tek mazhoranca.

‘Këtë vështirësi kam pasur unë në reformën zgjedhore. Se reforma zgjedhore duhet të ishte gjithëpërfshirëse. Për këtë arsye ne e patëm të pamundur të negociojmë me një trup të unifikuar. Formula është kushtetuese është edhe pjesë e diskutimit tuja. A është interes subjektiv i të gjitha forcave patjetër që është. Secili kështu që flet ka interesin e tij” tha Gjiknuri.

Deputeti i PD-së, Bujar Leskaj, në anën tjetër ka kërkuar që PD të mos shndërrohet në kënetë. Ai tha se PD nuk duhet të votojë kode zgjedhore të cilat sipas tij, dëmtojnë opozitën.

“Kodi zgjedhor në fuqi i hartuar nga Rama me moslejimin e koalicioneve është në dëm të opozitës nëse ne votojmë këtë kod ne certifikojmë ndryshimet e paligjshme që u bënë në dëm të opozitës. Nëse e votojmë këtë ne shërbejmë si noterë Ramës.  Sistemi me lista të mbyllura u vendos se krijon stabilitet dhe nuk lejohej që të futen persona me precedent penal në lista si kandidatë, por kjo u rrëzua pasi Rama futi në Kuvend persona me precedent penal.  PD nuk duhet të shndërrohet në kënetë për të pranuar kode zgjedhore që dëmtojnë opozitën”, tha ai.

Edhe deputeti tjetër i PD, Asllan Dogjani, foli kundër ndryshimeve tw Kodit Zgjedhor. Sipas tij, ato heqin garën dhe konkurrencën mes kandidatëve.

“Ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë të mirëpritura nga ne, por kur sheh ndryshime 1/3 të mbyllura dhe 2/3 të hapura shumëzohen me zero dhe s’kanë vlerë, sepse emigrantëve nuk u jepet mundësi që të zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Ata me lista të mbyllura i emëron partia. Nëpërmjet këtyre ndryshimeve Rama ka qëllim të kontrollojë deputetët e tij, ti ketë vetëm për të ngritur dorën sa herë ai do, pa menduar për qytetarët shqiptar, duke marr peng Shqipërinë. Këto ndryshime nuk do të motivojnë kandidatët që të angazhohen në fushatë. Kandidatët në listat e mbyllura mund të vendosen në bazë të lidhjeve farefisnore dhe jo në bazë të meritës, eliminohet gara dhe konkurrenca’, tha ai.

Për Kodin e ri Zgjedhor foli edhe deputetja e PD, Jorida Tabaku.

“Sot nuk kemi një reformë zgjedhore, sot jemi duke miratuar dhe ka mbajtur shënim disa ndryshime të cilat na janë diktuar nga Gjykata Kushtetuese. Pra sot po miratojmë minimumin e mundshëm dhe në fakt ishte një mendim i mirë që të ndahej në dy faza reforma zgjedhore: ajo që kërkoi nga Gjykata Kushtetuese dhe ajo që duhej bërë “ u shpreh Tabaku.

Ajo u shpreh kritike edhe ndaj opozitës, duke u shprehur se “nuk punuam për një kod të ri zgjedhor në këto katër vite por humbëm duke miratuar ndryshime shpejt e shpejt”.

“Ashtu siç zoti Gjiknuri e tha qartë; Sot nuk kemi një reformë zgjedhore, sot jemi duke miratuar dhe ka mbajtur shënim disa ndryshime të cilat na janë diktuar nga Gjykata Kushtetuese. Pra sot po miratojmë minimumin e mundshëm dhe në fakt ishte një mendim i mirë që të ndahej në dy faza reforma zgjedhore: ajo që kërkoi nga Gjykata Kushtetuese dhe ajo që duhej bërë.

Ajo që duhej bërë, sot nuk është bërë. dhe ky dështim, që fat fatkeqësisht është në seancën e fundit të Parlamentit për një amendim të thelluar të Kodit dhe të kuadrit ligjor për zgjedhjet, në shkelje edhe të angazhimeve të marra nga mazhoranca. Në qershor të vitit dy mijë e njëzet, për mua është një dështimi i këtij parlamenti që po e mbyll këtë session fatkeqësisht, duke diskutuar si gjithmonë Kodin Zgjedhor ditën e fundit të sesionit, me një votim natën, ku qytetarët shqiptarë nuk është se do të marrin vesh shumë çfarë ndodh”, tha ajo.

Tabaku tha se sot po zbatohet vetëm minimumi i mundshëm, opraktikisht vetëm atë që imponon gjykata Kushtetuese.

Deputeti tjetër demokrat i rikthyer ne grupin parlamentar të drejtuar nga Gazment Bardhi, Kreshnik Çollaku gjatë diskutimeve në Kuvend mbi ndryshimet në Kodin Zgjedhor, tha se me këto ndryshime opozita humbet në 2025-ën.

Deputeti Agron Shehaj shprehu qëndrimin e tij kundër kodit të ri zgjedhor të dakordësuar mes PS dhe PD. Sipas tij, ky kod është skandaloz pasi pamundëson hapjen e listave të kandidatëve për deputetë. Nga ana tjetër sipas Shehaj mbyllet çdo shteg për rotacionin politik.

Flutura Açka ishte gjithashtu kunder.

“Unë jam prej atyre njerëzve që kanë qenë jashtë parlamenti dhe politikës. Në 2021 hyra në parlament për ta njohur nga brenda politikën. Nga jashtë e kam kritikuar si gjënë më të keqe. Ajo që vërejta kur hyra ishte fakti që koha kalenderike jashtë dhe këtu brenda nuk përputhen. Atje jashtë njerëzit kanë ëndrra kur vijnë këtu brenda kanë ethe personale. Këtu është baza e konfliktit me debatin sot për Kodin Zgjedhor. Ne sot po dalim kundër sensit në Kushtetutë për të menduar atë ëndrrën aty jashtë. Them votën time kundër. Shumë opozitarë e shanë kodin tuaj sot. Megjithatë do e votojnë. Sepse disa opozitarë këtu janë pasuruar në opozitë. Kanë ndërruar adresat, nga Brraka, apo Medresja, Rrapi i Treshit jetojnë tani nëpër vila dhe kodra. Po, po opozitarë. Disa opozitarë këtu kanë fuqi më shumë se ministrat tuaj. Sepse kanë marrë leje ndërtimi, resorte dhe përkëdhelen prej jush. Ju lumtë!”

Enkelejd Alibeaj ne anen tjeter tha se Kuvendi do ketë 100 deputetë të fiksuar me zero vota.

“E vetmja seancë që do mbahet mend për këtë 4-vjeçar dhe kohët që do të vijnë, siç është mbajtur mend ajo e 2008, ende sot kujtohen bëmat e asaj seance. Për një ditë të vetme në 4 vite sot është momenti të thuhet e vërteta. E vërteta e parë është e thjeshtë, i gjithë ky kuvend sot janë në konflikt interesi, janë duke përcaktuar karrigen e deputetit për zgjedhjet e 2025.

E vërteta e dytë. Pazar që është bërë, është bërë një gjë shumë e rëndë në kurriz të shqiptarëve, jo vetëm për Kodin Zgjedhor, i është dhuruar Ramës mandati i 4 qeverisës. Me 12 mandate të falura në tryezë, Rama që me votimin që bëhet sot merr qeverisjen e 4. Protesta, tym e flakë, zero vlejnë. Gjithçka është bërë për ti dhuruar Ramës mandatin e 4, pa asnjë përpjekje, pa përdorur administratën, gangsterët, zgjidhja është e thjeshtë, ja japim në tavolinë. Ky vend sot nuk ka opozitë. Me këtë të sotmen është arritur bashkëqeverisja, për këtë vit që vjen, por edhe për ata që do vijnë.

E vërteta e tretë, për sa kohë është ndarë pazari qeverisë, e vetmja gjë që mbetet për tu ndarë është ku do jenë si deputetë nesër, a do kem një vend të sigurt në lista. Po e bëj ndryshimin që të strukem në listat e fiksuara. Kuvendi do ketë 100 deputetë të fiksuar me zero vota. Vetëm ata 40 do quhen deputetë të shqiptarëve se do marrin ndonjë votë” tha Alibeaj. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë