Gazeta Si – Pas asaj paraqitjeje pozitive ndaj Spanjës, Shqipëria luan të martën edhe një miqësore tjetër ndaj Gjeorgjisë. Kundërshtari është më i lehtë dhe trajneri Reja ka një mundësi të mirë për të testuar lojtarët e rinj që ka grumbulluar këtë herë.
Kristjan Asllani dhe Adrian Bajrami mund të nisin nga minuta e parë ndeshjen që do të zhvillohet në “Air Albania”. Trajneri italian pritet të ruajë boshtin e skuadrës, por kuptohet që është nga ndeshje ku lejohen më shumë eksperimente, kështu që formacioni do të pësojë goxha ndryshime në raport me sfidën e Barcelonës.

Të tre repartet do të pësojnë ndryshime. Në portë pritet të aktivizohet Strakosha, në mbrojtje Bajrami mund të zërë vend në treshe, ku trajneri Reja mund të lërë pushim një nga “senatorët”, ndoshta Kumbullën.
Në mesfushë pritet të kenë hapësirë Asllani dhe Çekiçi në qendër, kurse në krahë Lenjani dhe Roshi. Broja mund ta nisë edhe këtë ndeshje nga minuta e parë, kurse për vendin e Cikalleshit ka një balotazh mes Uzunit dhe Manajt. Këto janë ndryshimet e mundshme ndaj Gjeorgjisë, por nuk përjashtohet ndonjë surprizë e trajnerit Reja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




