Kombetarja

Ndryshime në listën e kuqezinjve, trajneri Reja thërret edhe Ernest Muçin

Ka një ndryshim në listën e lojtarëve të grumbulluar nga trajneri Edi Reja për dy ndeshjet me Anglinë dhe Andorrën. Kuqezinjve do t’u bashkohet edhe sulmuesi Ernest Muçi, i cili ishte në listën e Kombëtares U-21 fillimisht.

Nga nesër lojtari i Legias së Varshavës do të jetë nën urdhrat e trajnerit Reja. Italiani këtë herë la jashtë Rei Manajn dhe grumbulloi 4 sulmues për dy ndeshjet e radhës, Cikalleshin, Balajn, Uzunin dhe Brojën, por tashmë ka vendosur të ketë në dispozicion edhe Muçin.

Trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, e ka zëvendësuar Muçin me Eridon Qardakun, futbollistin e Bylisit që ka qenë edhe më parë pjesë e Shpresave.

Kuqezinjtë kanë nisur që sot grumbullimin në Durrës, ndërsa nesër trajneri Reja do të dalë në konferencë shtypi, ku do të flasë për listën dhe dy ndeshjet e fundit eliminatore të Botërorit të Katarit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë