Kombetarja

Ndryshime në listën e Kombëtares. Thirren Seferi, Çokaj dhe Muçi për Andorrën

Lista e Kombëtares ka pësuar ndryshime për ndeshjen e së hënës me Andorrën. Pas dëmtimeve dhe skualifikimeve që la pas disfata në Angli, trajneri Reja ka thirrur sulmuesit Taulant Seferi dhe Ernest Muçi, si dhe mesfushorin Enis Çokaj.

Të tre këta futbollistë janë bashkuar sot me ekipin, që është kthyer nga Londra. Ata do të jenë të gatshëm dhe pritet që të marrin minuta në këtë ndeshje që mbyll kualifikueset e Botërorit të Katarit.

Taulant Seferi me fanellen kuqezi. Gazeta Si, 13 nentor 2021

Lista e mungesave ndërkohë është më e gjatë nga sa ishte menduar. Armando Broja ka qëndruar në Angli. Ai nuk do të jetë pjesë e skuadrës ndaj Andorrës, pasi ka ndjerë përsëri dhimbje në kavilje. Marash Kumbulla dhe Keidi Bare kanë lënë grumbullimin për për të vazhduar rikuperimin me klubet e tyre.

Edhe Frederik Veseli ka pasur probleme fizike dhe stafi mjekësor ka arritur në përfundimin se nuk mund të luajë në ndeshjen e radhës. Klaus Gjasula, Sokol Cikalleshi dhe Ardian Ismajli janë të skualifikuar, por ata kanë preferuar të qëndrojnë pranë Kombëtares edhe për ndeshjen me Andorrën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë