Kombetarja

Ndryshime në listë/ Trashi dhe Vrioni nuk vijnë, thirren dy lojtarë të Tiranës

Ashtu sikurse pritej, lista e Kombëtares për tri ndeshjet me Kosovën, Kazakistanin dhe Bjellorusinë, ka pësuar ndryshime që në ditën e parë të grumbullimit. Në pritje të kompletimit të grupit, trajneri Reja ka mësuar se mbrojtësi Lorenc Trashi nuk do të jetë i disponueshëm për këto ndeshje, pasi nuk e lejojnë masat kufizuese në Kuvajt, ku ai luan.

Marash Kumbulla mbetet në dyshim të fortë, sepse lojtarët e Romës duhet të qëndrojnë në karantinë, ndërsa Dermaku dhe Mihaj janë të dëmtuar. Kjo situatë ka bërë që të thirren në Kombëtare dy lojtarët e Tiranës, Erion Hoxhallari dhe Marsel Ismajlgeci. Të dy janë mëngjarashë dhe i janë bashkuar skuadrës në Durrës, duke u vënë nën urdhrat e trajnerit Reja. Sulmuesi Vrioni është i dëmtuar dhe do të mungojë, ndërsa Gjasula pritet të bashkohet me Kombëtaren pas miqësores me Kosovën, që zhvillohet të mërkurën në “Elbasan Arena”.

https://youtu.be/JwnjXsokwkQ?list=RDCMUC3Guly6AbOr3PqrZMaV6vog
Nga seanca e sotme stërvitore e kuqezinjve. Gazeta Si, 9 nëntor 2020

Më 15 dhe 18 nëntor luhen dy ndeshjet e fundit në Ligën e Kombeve ndaj Kazakistanit dhe Bjellorusisë, të dyja në “Air Albania”, ku kyqezinjtë do të synojnë 6 pikët për ta mbyllur në vend të parë. Trajneri Reja i frikësohet faktit se lista e mungesave mund të bëhet më e gjatë. Italiani nuk ka të gatshëm as portierin Strakosha, si dhe mesfushorët Bare dhe Roshi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë