Nisjen e hetimeve edhe në Shqipëri e paralajmëroi Ambasadori italian në Tiranë, Fabrizio Bucci. Ai tha se në media nuk janë publikuar të gjitha përgjimet e antimafias italiane dhe paralajmëroi zhvillime të bujshme.
Ambasadori italian foli gjatë një interviste dhënë për Euronews Albania, ku pastrimi i parave dhe korrupsioni u konsideruan si “prirje korruptive që dihej që ekzistonin” që përpara publikimit të përgjimeve rreth grupit të Luigi Mancuso-s së “Ndrangheta”-s, grup ky që në Itali po hetohet nga prokurori i Katanzaros, Nicola Gratteri. Bucci e përshkroi Gratterin si “prokuror të rëndësishëm”, “serioz” dhe “shumë i aftë”.
“Hetimi në Itali është në hapat e para, janë dhënë masat e para të sigurimit personal, janë publikuar disa përgjime, sepse në Itali, Kodi i Procedurës Penale parashikon që kur një prokuror akuzon persona, jep masa sigurimi personal, duhet të zbulojë faktet në bazë të të cilave bëhen këto arrestime. Pra, janë bërë publike disa përgjime, por jo të gjitha. A do të ketë të tjera? Kjo do t’u takojë dy prokurorëve, sepse e marr me mend që do të ketë një vazhdimësi të hetimeve këtu dhe kjo është arsyeja për të cilën dy prokuroritë janë duke bashkëpunuar”, tha ambasadori italian.
Duke pranuar se “fatkeqësisht korrupsioni në Shqipëri ka rrënjë të thella”, ambasadori Bucci u zotua për përkrahje dhe bashkëpunim nga ana e Italisë në mënyrë që “shqiptarët ta kuptojnë se kjo duhet të luftohet”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.