Shendet

Ndotja e ajrit ul jetëgjatësinë me më shumë se dy vite

Ndotja e ajrit ul jetëgjatësinë mesatare globale me më shumë se dy vjet për person, tregoi një studim i publikuar të martën, një ndikim i krahasueshëm me atë të pirjes së duhanit dhe shumë më i keq se HIV/AIDS ose terrorizmi.

“Më shumë se 97% e popullsisë globale jeton në zona ku ndotja e ajrit tejkalon nivelet e rekomanduara”, tha Instituti i Politikave të Energjisë të Universitetit të Çikagos (EPIC) në Indeksin e tij të fundit të Cilësisë së Ajrit, i cili përdori të dhënat satelitore për të matur nivelet e grimcave PM2.5.

Ai tha se nëse nivelet globale të PM2.5 do të reduktoheshin në pesë mikrogramë për metër kub të rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), jetëgjatësia mesatare do të rritet me një mesatare prej 2.2 vjetësh.

Në studim shkruhej se ndotja e ajrit është lënë pas dore edhe pse është një problematikë që flitet shumë.

“Tani që i është dhënë hapësirë kësaj teme, shpresoj që qeveritë të bëjnë diçka”, tha Christa Hasenkopf, drejtore e Indeksit të Cilësisë së Ajrit të EPIC.

Banorët e Azisë Jugore humbasin rreth pesë vjet jetë si rezultat i smogut, tha studimi, me Indinë që përbën rreth 44% të rritjes së ndotjes së ajrit në botë që nga viti 2013.

Banorët e Kinës mund të jetonin mesatarisht 2.6 vjet më gjatë nëse do të arriheshin standardet e OBSH-së, megjithëse jetëgjatësia është përmirësuar me rreth dy vjet që nga viti 2013, kur vendi filloi një “luftë kundër ndotjes” që uli PM2.5 me rreth 40%.

Llogaritjet e EPIC u bazuan në një studim të mëparshëm që tregonte se ekspozimi i vazhdueshëm ndaj 10 mikrogramëve shtesë për metër kub PM2.5 do të reduktonte jetëgjatësinë me gati një vit.

Asnjë vend i vetëm nuk arriti të përmbushë standardin prej 5 mikrogramësh të OBSH-së në vitin 2021, sipas një sondazhi të të dhënave të ndotjes të publikuar në fillim të këtij viti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë