Shendet

Ndotja e ajrit shton sëmundjet autoimune

Sipas një hulumtimi të fundit ndotja e ajrit mund të rrisë rrezikun e sëmundjeve autoimune. Ekspozimi ndaj grimcave tashmë ka qenë i lidhur me goditjet në tru , kancerin e trurit, abortin dhe problemet e shëndetit mendor. Një përmbledhje globale, e publikuar në vitin 2019, arriti në përfundimin se pothuajse çdo qelizë në trup mund të ndikohet nga ajri i ndotur.
Por në këtë studim të fundit hulumtuesit nga Universiteti i Veronës kanë zbuluar se ekspozimi afatgjatë ndaj niveleve të larta të ndotjes së ajrit shoqërohej me një rrezik afërsisht 40% më të lartë të zhvillimit të artritit reumatoid, një rrezik 20% më të lartë të sëmundjeve inflamatore të zorrëve si Crohn dhe koliti ulçeroz, e një rrezik 15% më i lartë i sëmundjeve të indit lidhor, si lupusi.

Studimi, i botuar në revistën “RMD Open”, analizoi një informacion të plotë mjekësor për 81,363 burra dhe gra në një bazë të dhënash italiane që monitoronte rrezikun e frakturave midis qershorit 2016 dhe nëntorit 2020. Rreth 12% u diagnostikuan me një sëmundje auto imune gjatë kësaj periudhe.

Studimi analizoi ekspozimin mesatar dhe afatgjatë ndaj grimcave të imta (të njohura si PM10 dhe PM2.5), të cilat prodhohen nga burime të tilla si automjetet dhe termocentralet. Studiuesit arritën në përfundimin se ekspozimi afatgjatë ndaj grimcave mbi këto nivele u shoqërua, respektivisht, me një rrezik 12-13% më të lartë të zhvillimit të një sëmundjeje auto imune.
Felicity Gavins, drejtoresha e Qendrës për Kërkimin e Inflamacionit në Universitetin Brunel të Londrës, tha se ky studim mbështet më tej provat në rritje që tregojnë një lidhje midis ekspozimit ndaj ndotjes së ajrit dhe sëmundjeve.

Studiuesit pranojnë se gjetjet e tyre nuk provojnë një lidhje shkakësore dhe se faktorë të tjerë mund të jenë në lojë, duke përfshirë mungesën e informacionit se kur filluan simptomat e sëmundjes auto imune, ose se monitorimi i cilësisë së ajrit mund të mos pasqyrojë ekspozimin personal ndaj ndotësve dhe se gjetjet mund të mos të jetë më gjerësisht të zbatueshme, sepse pjesëmarrësit e studimit kryesisht përfshinin gra të moshuara në rrezik për fraktura.
“Ndotja e ajrit tashmë është lidhur me anomalitë e sistemit imunitar dhe pirja e duhanit, e cila ndan disa toksina me emetimet e karburanteve fosile, ishte një faktor predispozues për artritin reumatoid”, tha Giovanni Adami, një nga autorët e raportit dhe një reumatolog në Universitetin e Veronës.
Ai shtoi se Organizata Botërore e Shëndetësisë ka identifikuar kohët e fundit ndotjen e ajrit si një nga rreziqet më të mëdha për shëndetin.
Burimi: The Guardian/ Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë