Një studim i ri i publikuar nga Universiteti i Kalifornisë, San Francisko dhe Universiteti i Uashingtonit zbuloi se ndotja e ajrit ka të ngjarë të ketë bërë që miliona foshnje të lindin para kohe dhe nënpeshë në vitin 2019.
Foshnjat që lindin nën peshë ose para kohë kanë më shumë mundësi të preken nga sëmundjet gjatë gjithë jetës së tyre, sipas ekspertëve.
Organizata Botërore e Shëndetit ka vlerësuar se afërsisht 90% e popullsisë globale jeton me ndotje të ajrit në natyrë, dhe 50% e popullsisë gjithashtu jeton me ndotje të ajrit të brendshëm nga druri, qymyri dhe zjarret brenda shtëpisë.
Studimi shikoi sesi ndotja e ajrit ndikoi te shtatzënitë, duke përfshirë kohëzgjatjen e shtatzënisë, peshën e lindjes dhe humbjen e peshës pas lindjes. Ky është studimi i parë që përfshin ndotjen e ajrit të brendshëm, i cili përbënte dy të tretat e efekteve të dokumentuara.
Në vitin 2019, ndotja e ajrit rezultoi në gati 6 milionë lindje të parakohshme dhe 3 milionë foshnje nënpeshë në të gjithë botën, sipas studimit. Dhe në Shtetet e Bashkuara, ndotja e ajrit të ambientit të brendshëm solli rreth 12.000 lindje të parakohshme.
“Ndërkohë, në Azinë Juglindore dhe Afrikën nën-Sahariane, lindjet e parakohshme dhe peshat e ulëta të lindjes mund të zvogëlohen me 78% nëse ndotja e ajrit zvogëlohet”, zbuloi studimi. Dy zonat gjeografike kanë ndotje të përbashkët të ajrit të brendshëm, për shkak të zjarreve në ambiente të mbyllura dhe disa nga nivelet më të larta të lindjeve të parakohshme në botë.
“Barra që i atribuohet ndotjes së ajrit është e madhe, por me përpjekje të mjaftueshme, ajo mund të zbutet në masë të madhe”, tha autori kryesor Rakesh Ghosh në një deklaratë për shtyp. Ghosh është një specialist për shëndetin publik në Institutin për Shkencat e Shëndetit Global në UCSF.
Në një studim të mëparshëm, i njëjti ekip zbuloi se ndotja e ajrit kontribuoi drejtpërdrejt në vdekjen e 500,000 të porsalindurve në vitin 2019.
“Me këtë dëshmi të re, globale, ndotja e ajrit tani duhet të konsiderohet një shtytës kryesor i sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë foshnjore, jo vetëm i sëmundjeve kronike të të rriturve”, tha Ghosh.
“Studimi ynë sugjeron që marrja e masave për të zbutur ndryshimet klimatike dhe uljen e niveleve të ndotjes së ajrit do të ketë një përfitim të rëndësishëm shëndetësor për të sapolindurit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje