Nga Gazeta Si- Rreth një në tre njerëz në mbarë botën ishin të ekspozuar ndaj ndotjes së ajrit në familje brenda një viti.
Në studimin e fundit të publikuar në revistën shkencore “The Lancet”, thuhet se në 2021, 2.67 miliardë njerëz u ekspozua ndaj HAP (ndotja e ajrit në shtëpi).
Në Shqipëri janë 20 deri në më shumë se 30 për qind e popullsisë të ekspozuar ndaj ndotjes në shtëpi.
Ky ekspozim sjell probleme të mëdha shëndetësore, duke përfshirë kancerin e mushkërive, goditjet në tru, sëmundjet e zemrës, diabetin e tipit 2, çrregullimet kronike pulmonare, infeksionet e frymëmarrjes dhe çrregullimet neonatale.
Sipas të dhënave në studim, në Shqipëri, 110 deri në rreth 350 njerëz për 100 mijë banorë janë të prekur nga probleme shëndetësore për shkak të ndotjes së ajrit në shtëpi, me përdorimin e sobave të gatimit apo ngrohjes.
Ndotja gjithashtu mund të ketë pasoja vdekjeprurëse për fëmijët, duke kontribuuar në më shumë se 3.1 milionë vdekje në mbarë botën, ku 500 mijë ishin fëmijë nën moshën 5 vjeç, sipas studimit. Kjo është rreth 11 për qind e të gjithë vdekshmërisë nën 5 vjeç.
“Niveli i lartë i barrës pediatrike i vlerësuar në këtë studim është një shqetësim i madh”, thanë autorët e studimit, duke shtuar se efektet shëndetësore mund të jenë fatale dhe afatgjata.
“Këto efekte nuk kanë vëmendjen e duhur nga studiuesit dhe politikë bërësit”, thanë ato.
Ndotja e ajrit në shtëpi përmban grimca të vogla që mund të hyjnë në qarkullimin e gjakut përmes mushkërive.
Edhe pse shifrat globale tregojnë një reduktim të dukshëm në përqindjen e popullsisë globale të ekspozuar në vitin 1990, në terma absolutë, ka pasur vetëm një rënie prej 0.35 miliardë (10%) nga 3.02 miliardë njerëz të ekspozuar ndaj HAP në 1990.
Duke pasur parasysh ndikimin e vazhdueshëm dhe thelbësor të HAP në shumë rajone dhe vende, studiuesit thonë se është e domosdoshme për të përshpejtuar përpjekjet për kalimin drejt burimeve më të pastra të energjisë shtëpiake.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.