Mjedis

Ndotja e ajrit, drafti i ri i qeverisë rrit gjobat me 30%

Nga Gazeta Si- Qeveria do të rrisë me 30 për qind masat administrative kundrejt subjekteve që ndotin ajrin.

Në draftligjin e nxjerrë për konsultim nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit “Për mbrojtjen e cilësisë së ajrit në mjedis” kanë ndryshuar disa pika, së pari ashpërsimi i masave administrative.

“Qëllimi i ligjit është ashpërsimi i kundravajtjeve administrative në legjislacionin në fuqi për mjedisin me 30% të vlerës së gjobave, bazuar në rezultatet e këshillimit kombëtar, nga ku rezultoi se qytetarët vlerësuan se për të parandaluar veprimet e individëve apo subjekteve të cilët shkaktojnë ndotjen e mjedisit dhe hapësirave publike nevojitet që të ashpërsohen masat ndëshkuese”, shkruhet në relacionin e publikuar.

Gjoba përbën titull ekzekutiv me përfundimin e shqyrtimit të ankimit administrativ dhe ngarkohet zyra e përmbarimit për ekzekutimin e saj. Gjoba do paguhet brenda 10 ditëve nga data kur është njoftuar kundërvajtësi për vendimin e dënimit me gjobë.

“Parashikimi në legjislacionin e fushës së mjedisit të dënimit me gjobë si titull ekzekutiv do të sjellë efektivitet në ekzekutimin e sanksioneve që vendosen nga organet administative, sqarojmë se, aktualisht procesi i ekzekutimit të gjobave vështirësohet për shkak të ankimit administrativ dhe gjyqësor të gjobës duke zgjatur në kohë procesin dhe duke humbur qëllimin e vendosjes së sanksionit për ndotjen e mjedisit”, thuhet në relacion.

Kundravajtjet sipas draftit

Drafti parashikon se çdo shkelje, kur nuk përbën vepër penale, konsiderohet shkelje administrative dhe ndëshkohet me gjobë, pezullim apo mbyllje të veprimtarisë, përkatësisht:

a) mospërmbushja dhe mosrespektimi i kërkesave, parimeve dhe kushteve të shkarkimeve në ajër nga operatori i një instalimi, referuar lejes së mjedisit të tipave A apo B:

i) për lejet e mjedisit të tipit A, dënohet me gjobë në vlerën 1 300 000 (një milion e treqind mijë) deri në 2 600 000 (dy milion e gjashtëqind mijë) lekë;

ii) për lejet e mjedisit të tipit B, dënohet me gjobë në vlerën 390 000 (treqind e nëntëdhjetë mijë) deri në 650 000 (gjashtëqind e pesëdhjetë mijë) lekë;

b) ndotja e ajrit, e shkaktuar nga burimet e lëvizshme, në kundërshtim me kërkesat e nenit 13, të këtij ligji, dënohet me gjobë në vlerën 1 300 000 (një milion e treqind mijë) deri në 2 600 000 (dy milion e gjashtëqind mijë) lekë.”

c) prodhimi, importimi, tregtimi i lëndëve djegëse nga subjektet dhe përdorimi i lëndëve djegëse nga operatori, në kundërshtim me kërkesat e shkronjave “a” dhe “b” të nenit 14, të këtij ligji, dënohen me gjobë në vlerën 1 300 000 (një milion e treqind mijë) deri në 2 600 000 (dy milion e gjashtëqind mijë) lekë, në varësi të sasisë dhe rrezikshmërisë që paraqesin lëndët djegëse të palejuara, si dhe me sekuestrimin e lëndës djegëse që është gjendje;

ç) Mosrespektimi i masave për sigurimin e informacionit mbi konsumin e lëndës djegëse dhe shkarkimet e CO2 gjatë marketingut të automjeteve të reja, sipas kërkesave të shkronjës “c” të nenit 14, të këtij ligji, dënohet me gjobë në vlerën 200 000 (dyqind mijë) lekë ;

d) Mos përmbushja nga operatorët, e kërkesave për pakësimin e rrjedhjeve dhe shkarkimeve të përbërësve organik të avullueshëm (VOC) në kundërshtim me përcaktimet sipas shkronjave “ a”, “c” dhe “ç” të nenit 15, të këtij ligji, dënohen me gjobë në vlerën 1 300 000 (një milion e treqind mijë) deri në 2 600 000 (dy milion e gjashtëqind mijë) lekë, në varësi të sasisë e rrezikshmërisë që ato lëndë djegëse paraqesin, si dhe me pezullimin e veprimtarisë, për aq kohë sa të bëhet zëvendësimi i lëndës djegëse.

Ndotja e ajrit ose cilësia e ulët e ajrit të ambientit, është një nga  problematikat e hasura prej disa kohësh në vendin tonë. Problemet e evidentuara në këtë fushë shtrihen në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, në çdo qark dhe ky problem afekton të gjithë qytetarët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë