Surpriza e mbrëmjes së djeshme te Partizani para derbit ishte mungesa e Valentino Muratajt. Mesfushori nuk ishte në formacion, por as në stolin e rezervave për këtë ndeshje. Kjo ishte një mungesë e rëndësishme për Dajën, i cili nuk e ka aktivizuar nga minuta e parë rregullisht, por e ka përdorur shpesh si “xhol” ish-talentin e Bylisit, në varësi të ecurisë së ndeshjes.
Pas ndeshjes Daja shpjegoi se Murataj mungoi dje ndaj Tiranës për shkak të një incidenti në stërvitje. Zyrtarët e klubit bëjnë të ditur për gazetën se Murataj ka pësuar një çarje në pjesën e ballit dhe plaga ka qenë aq e madhe sa është dashur të qepet. Kështu, i riu e ka pasur të pamundur të luajë në derbi, duke i kufizuar Dajës ndërhyrjet në ofensivë.ADVERTISEMENT
Muratajt i duhen disa ditë pushim, por pauza e kampionatit prej festave të fundvitit i jep mundësinë të rikuperohet pa munguar në ndeshjet e radhës në Kupë apo kampionat.
Një tjetër mungesë në stolin e Partizanit ishte edhe Andrija Filipoviç. Sulmuesi i ardhur me bujë në merkaton e verës nuk ka ndonjë dëmtim, por sërish e ka parë ndeshjen nga tribuna, ashtu siç ndodhi edhe ndaj Kukësit në “Air Albania”.
Gazeta pyeti në klub dhe iu tha se lënia jashtë skuadrës e sulmuesit ka qenë vendim teknikë e trajnerit Ilir Daja. Kjo zgjedhje e trajnerit natyrshëm vjen për shkak të formës jo të mirë të sulmuesit, i cili nuk ka mundur të ambientohet aspak dhe nuk ka shënuar asnjë gol në Superiore.
Gjithë këto ngjarje i dërgojnë palët te divorci. Paga e lartë dhe rendimenti i ulët e bën Partizanin t’i kërkojë largimin sulmuesit dhe këto lënie në tribunë mund të jenë edhe një sinjal se nëse nuk ka konsensus për divorcin, nuk do të ketë aktivizim. /PANORAMASPORT.AL
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




