Futboll

Ndoj shkëlqen në Serinë B, Gjimshti gabon gjithçka me Juven

Kjo mesjavë e futbollit në Itali ka parë protagonistë futbollistët shqiptarë. Disa duke shkëlqyer dhe disa me gabime fatale, por të gjithë bashkë kanë qenë në qendër të vëmendjes së medieve fqinje. Autogoli i Gjimshitit dhe goli në minutën e fundit i Ndoj janë përfolur në disa gazeta Apenine.

Mbrojtësi, Berat Gjimshiti ka pasur shansin e artë këtë të mërkurë, duke luajtur që nga minuta e parë me ekipin e tij Atalantën, kundër Juventusit. Një mundësi që nuk është shfrytësuar siç duhet nga Gjimshiti i cili ka lënë një gjurmë negative, duke realizuar autogolin e parë në favor të Juventusit.

Autogoli i Gjimshitit në ndeshjen Atalanta – Juventus

Ishte minuta e dytë, kur pas një krosi nga krahët Gjimshiti devijoi keq topin, duke e çuar topin në rrjetë dhe mos i lënë asnjë shans portierit Etrit Berisha. Edhe në golin e dytë, Gjimshiti nuk ishte në lartësinë e duhur, duke bërë që nga mediet italiane të vlerësohet me nota negative. Sakaq futbollisti tjetër shqiptare, gardiani Etrit Berisha edhe pse pësoi dy gola, në të dyja rastet nuk kishte shumë faj, duke marrë përgjithësisht vlerësime pozitive. Edhe portieri tjetër kuqezi, Tomas Strakosha është vlerësuar me notë pozitive në përballjen Bolonja Lacio, e mbyllur në shifrat 0-2 për lacialët.

Foto ilustruese

Ndërkohë në Serinë B sulmuesi kuqezi, Emanuele Ndoj vijon të shkëlqejë. Mesfushori 22 vjeçar ka qenë deçiz në fitoren e ekipit të tij Breshia 3-2 përballë Kremonezes. Ndoj shënoi golin e tretë në minutën e 90’ duke ngritur peshë të gjithë të pranishmit në stadium. Me këtë fitore Breshia u ngjit në vendin e dytë, duke qenë më afër objektivit për t’u ngjitur në elitën e futbollit italian. Emanuele Ndoj është një titullar i padiskutueshëm te Breshia dhe nëse nuk largohet gjatë verës me shumë mundësi do të jetë një nga shtyllat e kësaj skuadre edhe në Serie A.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë