Historia përsëritet edhe njëherë tjetër, ndoshta edhe më bukur se herën e parë. Nëse të gjithë mbanin mend atë finale të Stambollit mes Milanit dhe Liverpulit, “The reds” kanë bërë përmbysjen e madhe edhe mbrëmjen e kësaj të martë që është futur në historinë e Ligës së Kampioënve. Rezultati 3-0 i ndeshjes në “Camp Nou” është bërë i pavlefshëm nga 4-0 i ndeshjes së “Anfield” me një Liverpul që konfirmohet edhe një herë tjetër si ekipi më i “çmendur” në këtë kompeticion.

Ekipi anglez edhe pse me mungesa të mëdha ia ka dalë ta frikësojë Barçën që në start, duke shënuar golin e parë me anë të Orixhit në minutën e 7’ dhe vuri në panik mbrojtjen katalanase. Me një Barcelonë të çoroditur dhe që nuk dinte si të sillej në fushë, djemtë e Klop i janë afruar edhe disa herë të tjera golit të dytë, por nuk ia kanë dalë dot. Pas rezultatit 1-0 që mbylli pjesën e parë, në 45 minutat e dyta ka ardhur shpërthimi nga ekipi i Klop. Holandezi Vinjaldum ka shënuar dy gola shumë të bukur. Në rrjetën e tretë të kësaj ndeshje për “the Reds” asisti ka ardhur nga sulmuesi shqiptar, Xherdan Shaqiri.
Kur po pritej një reagim nga katalanasit, për të mos pësuar më ose të shënonin një gol që mund t’i çonte në finale, ka ardhur edhe goditja fatale nga vendasit. Ishte sërish Orixhi, ai që hapi festën, mendoi edhe për ta mbyllur atë në mënyrën më të bukur të mundshme për britanikët, duke shënuar golin e 4-0.

Ishte minuta e 79’ dhe Liverpuli në 15 minutat e mbetura do të kthehej i gjithi në mbrojtje të këtij rezultati historik. Barça me të gjitha forcat për 15 minuta nuk mundi dot të shmangë një nga dramat më të mëdha në historinë e saj. Në fund, vërshëllima e arbitrit Çakir sinjalizoi se Liverpuli pret biletën për në finalen e madhe të ‘Vanda Metropolitano”, ndërsa Mesi dhe Barcelona pësojnë një nga disfatat më të mëdha në historinë e Champions League.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




