Në shtëpinë e Lazios shpërthimi në rrjetet sociale i Luis Albertos vazhdon të bëjë zhurmë të madhe. Pavarësisht ndjesës së lojtarit, në fakt, pozicioni i spanjollit mbetet i komplikuar. Nga njëra anë Lotito e Igli Tare janë tërbuar për shkak të deklaratave të mesfushorit e nuk duket se kanë ndërmend ta lënë të kalojë. Nga tjetra është tekniku Inzaghi që mundohet të bëjë zbutësin për “të limituar dëmet” në prag të impenjimeve të ardhshme.
Sipas asaj që bën të ditur Il Messaggero, për momentin nuk është marrë ende asnjë vendim zyrtar nga shoqëria në lidhje me ish-lojtarin e Liverpool, por duke se spanjolli rrezikon të përfundojë jashtë organikës. Ka qenë vetë drejtori sportiv i kryeqytetasve, Igli Tare, që në një deklaratë për mediat italiane sqaroi rëndësinë e spanjollit, por theksoi se në klub janë të gjithë të barabartë dhe se klubi do të mbajë qëndrim për rastin në fjalë.
“Luis Alberto është një futbollist i jashtëzakonshëm, thelbësor për Lazion, por rregullat vlejnë njëlloj për të gjithë. Bëhet fjalë për një konsideratë të caktuar, që edhe pse e thënë pa dashakeqësi, klubi duhet të ndërhyjë si në çdo rast tjetër. Ne u qëndrojmë shumë pranë futbollistëve, duke u ofruar madje edhe konsulencë për menaxhimin e rrjeteve sociale, ndaj nuk mund të tolerojmë sjellje të tilla”, u shpreh Tare. Mbetet gjithashtu e vlefshme edhe mundësia e një gjobe të madhe e të një ndalese prej dy javësh si dënim (Crotone e Zenit). E gjithë kjo e shoqëruar me shumë zhgënjim. Sidomos nga ana e drejtorit sportiv Tare, në të kaluarën gjithnjë shumë pranë lojtarit e tani i plagosur thellë nga fjalët e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




