Futboll

Ndizet merkatoja e trajnerëve, Konte në Londër për të firmosur me Totenhemin

Rezultati i ndeshjes Totenhem-Mançester Junajtid, 0-3, i ka dhënë një shtysë të fortë merkatos së trajnerëve. Ole Gunar Solskjaer ka fituar kohë dhe pret më i qetë ndeshjet me Atalantën dhe Mançester Sitin, kurse Nuno Espirito Santo është shkarkuar nga Totenhemi, që ka pësuar disa humbje dhe mban vendin e 8-të në Premier Ligë.

Dhe për të zëvendësuar portugezin, drejtuesit e Totenhemit kanë zgjedhur Antonio Konten, me të cilin kontaktet kanë avancuar dhe trajneri italian do të udhëtojë me një avion privat për në Londër shumë shpejt. Fabio Paratiçi ka punuar me Konten te Juventusi dhe e kërkoi që në verë. Këtë herë ish-trajneri i Interit është gati ta pranojë ofertën, pasi nuk dëshiron të qëndrojë më gjatë pushim.

Nuno Espirito Santo, trajneri i shkarkuar nga Totenhemi. Gazeta Si, 1 nëntor 2021

Para se të firmosë, Konte ka kërkuar garanci për një projekt teknik dhe ekonomik të rëndësishëm. Po flitet për një kontratë për 1.5 vjet, me një pagë 15 milionë euro në sezon për trajnerin italian. Po ashtu, Konte ka kërkuar garanci për blerjen e 3-4 lojtarëve të rëndësishëm në merkaton e janarit për të forcuar skuadrën.

“E di mirë se sa Nuno dhe stafi i tij e dëshironin suksesin, ndaj më vjen keq që kemi marrë këtë vendim. Nuno është një xhentëllmen dhe duam ta falënderojmë atë dhe stafin e tij, duke iu uruar çdo të mirë në të ardhmen”, – ka thënë Paratiçi pas shkarkimit të trajnerit portugez. Me shumë mundësi, të martën Konte do të drejtojë seancën e parë stërvitore te skuadra e tij e re.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë