Futboll

Ndizet merkato europiane/ Hazard te Juventusi, Vlahoviç te Mançester Siti

Real Madrid është gati ta shesë belgun Eden Hazard në fund të këtij sezoni. Në gjurmët e trekuartistit që nuk mundi në asnjë moment të shpërthejë në Madrid, është vënë tashmë edhe Juventusi, përveç Njukasëllit në Angli dhe Lilës në Francë.

Hazard është blerë për më shumë se 100 milionë euro në verën e 2019-ës nga Çelsi. Pritshmëritë për të ishin të mëdha, por dëmtimet e njëpasnjëshme nuk e kanë lënë belgun të shprehë vlerat e tij. Sipas të përditshmes spanjolle “Sport”, kreditet e Hazard te tifozët dhe drejtusit e klubit kanë rënë ndjeshëm, edhe pse “Blancos” kanë përjashtuar mundësinë e shitjes në merkaton e dimrit.

Dushan Vlahoviç. Gazeta Si, 21 dhjetor 2021

Dushan Vlahoviç është një nga emrat më të lakuar në merkato. Sulmuesi serb, i cilësuar si Batistuta e ri, po shënon rekorde me golat e tij dhe së fundi, mes klubeve që e kërkojnë, spikat Mançester Siti i Guardiolës. Edhe Juventusi e kërkon, por vështirë që klubi italian të rivalizojë me sheikët e Sitit financiarisht, kështu që Vlahoviç me shumë mundësi do të luajë në Premier Ligë së shpejti.

Në merkato për sulmues është edhe Barcelona, që duket se ka zgjedhur Edinson Kavanin, aktualisht pjesë e Mançester Junajtid, por që nuk ka hapësirat e nevojshme dhe katalanasve mund t’u bëjë shumë punë me përvojën e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë